Vaksina e AstraZeneca, kreu i OBSH: Po hetojmë pretendimet për probleme të mundshme

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se po shqyrtonin më shumë kujdes raportimet e fundit për vaksinën e AstraZeneca-s. Një numër vendesh të tilla si Danimarka, Norvegjia, Islanda, Bullgaria, Tajlanda, dhe disa rajone në Spanjë kanë pezulluar përdorimin pas rasteve të mpiksjes së gjakut te disa persona që kishin marrë vaksinën. Italia dhe Austria ka pezulluar vetëm disa furnizime të caktuara si masë parandaluese. 

“OBSH është e vetëdijshme se disa vende kanë pezulluar përdorimin e vaksinës së AstraZeneca-s pas raportimit për mpiksje të gjakut te disa persona që kishin marrë doza nga dy furnizime të caktuara. Kjo është një masë parandaluese, në pritje të finalizimit te një hetimi të plotë. Është e rëndësishme të theksohet se Agjencia Europiane e Barnave ka thënë se nuk ka prova për një lidhje mes vaksinës dhe mpiksjeve të gjakut dhe se vaksina mund të vazhdojë të përdoret ndërsa hetimi vazhdon”.

Komisioni Europian tha me herët se vaksina është e sigurt për përdorim duke shtuar se rregullatori i bllokut, EMA kishte shqyrtuar paraprakisht një rast në Austri, ku nuk ishin vërejtur lidhje mes vaksinimit dhe problemeve me gjakun.