Çfarë do ta përcaktojë të bukurën në vitin 2050?

Përkufizimi i bukurisë ndryshon gjatë gjithë kohës, e për të janë shprehur ndër shekuj filozofë të shumtë duke e asociuar me perceptime të ndryshme, si mirësia, uniteti, simetria, përsosmëria etj. Sigurisht, kjo vlen edhe për të bukurën në modë. Jo shumë kohë më parë, kinezët p.sh. e shihnin modën si diçka që vinte nga Perëndimi. Të frikësuar për të bërë “gabime”, ata shihnin Evropën dhe Amerikën si vende që përcaktonin standardet e duhura. Si rezultat, moda në Kinë dukej e zbehtë dhe e paqartë.

Por tani, interneti, teknologjia dhe mediat sociale e kanë bërë botën të arritshme në çdo aspekt. E ndaj, moda po shihet si një bashkëveprim stilesh që ndikojnë te njëra-tjetrën. Sot, mund të shohësh p.sh. njerëz në Azi duke blerë firmat më të lakmueshme evropiane, ndërsa mbajnë një varg rruaza lutjesh budiste në duart e tyre. Me siguri “Fusion” (Përzierja) është e ardhmja e modës.

Fotografi Chen Man, po përpiqet të kapë imazhe që na lënë të kuptojmë se madje edhe simbolika të kahershme kineze, si dragoi dhe feniksi, po përshtaten në botën e modës dhe bukurisë bashkëkohore. Ai është i idesë se duke qenë se teknologjia po përdoret masivisht në artin pamor, atëherë përse të mos e përqafojmë inteligjencën artificiale dhe aftësinë e saj për të krijuar art të bukur pa kontributin e njeriut. Për të, ky kombinim do të jetë i suksesshëm dhe krejt normal deri në vitin 2050.

Sipas fotografit, kjo marrëdhënie midis teknologjisë dhe estetikës është si ajo e shkencës dhe filozofisë – në një botë ideale, të dyja ecin krah për krah. Arritja e një ekuilibri të tillë kërkon që artistët t’i zotërojnë të dyja, duke kombinuar artin dhe aftësitë në këtë proces.

Megjithatë, kjo vë në dyshim perceptimin e çdokujt ndaj të bukurës, për aq kohë sa mbetet një ndjesi subjektive e krejt intime.