Lënda e parë në bujqësi, konkurrenca nis hetimin, konstaton abuzime në treg

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë një hetim paraprak në tregun e importit dhe të shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore. Ky autoritet ka konstatuar shumë parregullsi në këtë treg, që rrisin kostot dhe dëmtojnë fermerët.

Së pari vlerësohet se disa importues gëzojnë të drejta ekskluzive në tregtimin e produkteve të mbrojtjes së bimëve. Dyshimet e Konkurrencës shtohen pas konstatimit se kompanitë kanë realizuar importe të përbashkëta, duke krijuar stok në magazina, për t’i shitur më pas me çmime shumë më të larta se kostot e blerjes së tyre.

Nisja e hetimit merr shkas edhe nga përqindja e lartë që zënë në treg disa kompani, duke shtrembëruar në këtë mënyrë konkurrencën.

Hetimi do të përfshijë periudhën nga 1 janari 2020 deri më 31 mars 2021, periudhë gjatë së cilës qeveria ka ulur në 6% TVSH për këto mallra, me qëllimin për të ulur çmimet e shitjes tek fermerët. Diçka që nga konstatimet e shoqatave të fermerëve nuk është reflektuar, duke e kthyer këtë ulje në fitim në xhepat e importuesve.

Deri në përfundim të hetimit, Konkurrenca ka marrë një masë të përkohshme ku i ndalon kompanitë të bëjnë marrëveshje për të fiksuar çmimet dhe duke i hequr të drejtat ekskluzive. Kompanitë që nuk do t’i binden këtij urdhri do të ndëshkohen me gjobë deri në 10% të xhiros vjetore.