Rezistencë e përhershme, tatuazhet e protestuesve në Mjanmar

Gjatë demonstratave të Mjanmarit kundër sundimit ushtarak, artistët duket se kanë ndjekur një formë ndryshe për të protestuar, duke nisur nga ilustrimet e demonstruesve që kanë vdekur, te pikturat murale të mëdha, veprat e artit në rrugë dhe shenjat satirike që tallen me udhëheqësin e grushtit të shtetit, gjeneral Min Aung Hlaing .

Megjithatë, forma më e përhapur e këtij arti dhe që do të simbolizojë protestën e përhershme, është tatuazhi. Një grup të rinjsh organizuan një lëvizje për të ftuar më shumë njerëz, që të realizojnë tatuazhet që nënkuptojnë mosbindjen civile. Pjesë e lëvizjes u bënë mijëra punëtorë të jakave të bardha dhe blu, nga mjekët, bankierët, avokatët, mësuesit, inxhinierët dhe punëtorët e fabrikës.

“Të bësh një tatuazh është e dhimbshme, por nuk është asgjë në krahasim me dhimbjen e zemrave tona, të shkaktuara nga grushti i shtetit. Unë dua që liria jonë të kthehet”, thotë një nga pjesëmarrëset e Lëvizjes.

Tetë artistë të tatuazheve, me vetëm 2 dollarë si donacion minimal, realizojnë për 20 minuta tatuazhe të tilla si: fytyra e udhëheqëses së rrëzuar, Aung San Suu Kyi, parulla “Revolucioni i Pranverës”, fraza “Kabar Ma Kyay Bu” (e cila i referohet një këngë proteste dhe do të thotë, “ne nuk do ta harrojmë deri në fund të jetës”), si dhe përshëndetje me tre gishta, që është bërë një simbol i rezistencës në protestat e Mjanmar.

Kjo nuk është hera e parë që realizohet një lëvizje e tillë e artistëve me tatuazhet. Edhe në vitin 1988, kur Mjanmar u përfshi nga demonstrata të ashpra, shumë njerëz lanë shenja në lëkurën e tyre në pjesën e sipërme të krahut për të treguar unitet.