Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

MB VOTAT.duplicate.duplicate frame 625 1100x620

Pasi certifikoi rezultatin final të zgjedhjeve të 14 shkurtit, KQZ në Kosovë i jep të drejtën partive politike të ulen në bisedime për krijimin e qeverisë së re, për të cilën duhet të plotësohet kuorumi i 61 vendeve në Kuvendin e Kosovës. Në këtë kuadër, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani takohen sot me partitë e tjera politike, për të krijuar kabinetin qeverisës, brenda 30 ditëve.

Kosova hap ambasadën në Jerusalem

Ishte parashikuar për sot, por pa asnjë njoftim në lidhje me këtë. Kosova hapi dje ambasadën e saj në Jerusalem, sikurse u ra dakord në Uashington me presidentin e asokohe, Donald Trump. Konfirmimin e dha ajo që pritet të jetë ambasadorja e Kosovës në Izrael, Ines Demiri. Kosova bëhet shteti i tretë me ambasadën në Jerusalem pas SHBA-së dhe Guatemales.

Nis sot vaksinimi i mësuesve në të gjithë vendin

Pas 38 mijë dozave të mbërritura nga kompania AstraZeneca, nis sot vaksinimi i mësuesve në të gjithë vendin pasi filloi të shtunën me një grup të vogël prej tyre. Me këtë rast, kryeministri i bëri thirrje edhe mjekëve të Kosovës të vijnë për të marrë vaksinën në Kukës në pamundësi, sikurse e parashikon kontrata e blerjes për të dërguar një sasi në Kosovë.

AstraZeneca: Nuk ka asnjë problem me vaksinën

Kompania AstraZeneca njoftoi nëpërmjet një deklarate se nuk ka asnjë problem me vaksinën e saj përsa i takon rasteve të njoftuara për emboli dhe trombozë. Këtë e konfirmojnë edhe një sërë agjencish të shteteve evropiane, si Aifa në Itali. Por Holanda vendosi ndërprerjen e procesit, deri më 28 mars.

Mbyllen shkollat dhe bizneset në Itali

Situata e rënduar me virusin pandemik në Italinë fqinje detyroi qeverinë e re të Mario Draghit ta çojë vendin drejt një gjysmë izolimi, duke filluar nga sot, ku janë urdhëruar të mbyllen një sërë biznesesh dhe të ndalohet aktivitetet. Kulmin këto masa do ta njohin gjatë festës së Pashkës katolike, ku në datat nga 3-5 prill do të ketë izolim total, sikurse ai i një viti më parë.

BE përpjekje për vaksinën ruse

Dukej e pamundur në fillim kur u pasua nga një retorikë politike mes Rusisë dhe bllokut, por Brukseli zyrtar po bën të gjitha lëvizjet për të futur në qarkullim edhe vaksinën ruse Sputnik V për arritjen e objektivave me vaksinimin e 450 milionë banorëve. Futja e vaksinës në qarkullim do të ishte një fitore e madhe për Rusinë, e cila prej vitesh është përballur me një sërë sanksionesh nga vendet e bllokut.

Fauci: SHBA mund  t’i kthehet normalitetit në korrik

Amerika me shumë gjasa do t’i kthehet normalitetit para muajit korrik. Është ky skenari më optimist i dëgjuar nga një ekspert i lartë si Anthony Fauci, sipas të cilit në vend janë të gjitha mundësitë për të vaksinuar të gjithë popullin. Por, sikurse njoftoi ai për mediat një sërë masash të tjera duhet të ngrihen në mënyrë që mos të ketë një rritje tjetër të infektimeve që do ta shtynin më tej në kohë një parashikim të tillë.

Rritet prodhimi në Kinë

Pavarësisht pandemisë koronavirus, prodhimi industrial në Kinën komuniste u rrit me një marzh prej 35,1 për qind gjatë dy muajve të parë të këtij viti, krahasuar me të dhënat mesatare të vitit të shkuar. Këto të dhëna flasin për një ringjallje të shpejtë të ekonomisë, ku sektorët më prioritarë mbeten minierat, fabrikat dhe shërbimet.

Pandemia rrit krizën në kompanitë e automobilave

Kriza ekonomike e shkaktuar nga koronavirusi dhe rritja e stoqeve në kompanitë e prodhimit të automobilave ka bërë që secila prej tyre të shikojë të dhënat për të projektuar të ardhmen. Kësaj nuk i ka shpëtuar as Gjermania, ku Volkswagen njoftoi shkurtimin e 5000 vendeve të punës vetëm në shtetin e origjinës.

  • LAJMI I FUNDIT | Ministria e Shëndetësisë: 1 viktimë në 24 orët e fundit, 39 raste
  • LAJMI I FUNDIT | MSH: 71 pacientë në spitale, 7 në terapi intensive, asnjë në intubim
  • LAJMI I FUNDIT | Ministria e Shëndetësisë: 1 viktimë në 24 orët e fundit, 39 raste