Debati për vaksinat, Dasho: Nuk ka të dhëna shkencore që AstraZeneca krijon probleme

Mjeku Erion Dasho, në një lidhje direkte me studion e “Ditari” në A2, foli për vaksinimin ndaj koronavirusit dhe debatit të hapur gjatë ditëve të fundit mbi vaksinën e AstraZeneca-s, e cila është pezulluar në shumë shtete.

Dasho u shpreh se deri tani nuk ka asnjë të dhënë shkencore se vaksina e AstraZeneca-s sjell probleme anësore.

“Kemi pasur disa fenomene që lidhen kryesisht me tromboemboli. Bëhet fjalë për raste shumë të rralla. Megjithatë, vendet e përgjegjshme kanë bërë një pezullim të administrimit të vaksinimit për momentit.

Nuk ka të dhëna shkencore që problemet të kenë ardhur nga vaksina e AstraZeneca-s. Nuk flasim as për rrezik të dyshuar dhe as rrezik të konfirmuar. Nuk ka një mekanizëm se si vaksina mund të nxisë këto fenomene. Disa fenomene të dyshimta janë kapur dhe brenda të enjtes do të ketë një njoftim të ri nga EMA”.

Dasho u shpreh se e vlerëson si të drejtë edhe vazhdimin e vaksinimit në Shqipëri, pasi ky është edhe rekomandimi i Agjencisë Europiane të Barnave (EMA), tha ai.