Holanda pezullon përdorimin e vaksinës AstraZeneca

vaksina 11 1100x620

Holanda është bërë vendi i fundit që pezullon përdorimin e vaksinës kundër koronavirusit Oxford-AstraZeneca për shkak të shqetësimeve në lidhje me efektet anësore të mundshme.

Qeveria holandeze tha se masa, e cila do të zgjasë të paktën deri më 29 mars, ishte një masë paraprake.

Në një deklaratë, qeveria holandeze tha se kjo masë paraprake erdhi pas raporteve nga Danimarka dhe Norvegjia për efektet e mundshme anësore serioze.

“Ne nuk mund të lejojmë asnjë dyshim në lidhje me vaksinën. Ne duhet të sigurohemi që gjithçka është në rregull, kështu që duhet të ndalemi tani”, tha ministri holandez i Shëndetësisë, Hugo de Jonge.

Ky vendim i qeverisë do të shkaktojë vonesa në programin holandez të vaksinimit.

Autoritetet kishin porositur paraprakisht 12 milionë doza të AstraZeneca, me gati 300 000 injektime të planifikuara në dy javët e ardhshme.

Më parë, Republika e Irlandës mori një vendim të ngjashëm në lidhje me raportet e ngjarjeve të mpiksjes së gjakut tek të rriturit në Norvegji.

Por Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se nuk ka asnjë lidhje midis vaksinës dhe zhvillimit të mpiksjes  së gjakut.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), e cila aktualisht po kryen një rishikim të incidenteve të mpiksjes së gjakut, thotë se përfitimet e vaksinës vazhdojnë të tejkalojnë rreziqet e saj.

Danimarka, Norvegjia, Bullgaria, Islanda dhe Tajlanda tashmë kanë ndaluar përdorimin e tyre të vaksinës AstraZeneca.