Krimi në Shqipëri, vrasësit me pagesë që nuk u paguan asnjëherë

Ngjarjet kriminale të viteve të fundit në Shqipëri kanë shtuar në masë vrasësit me pagesë. I tillë ishte 24-vjeçari Ernejt Shyti, i cili qëlloi për vdekje Behar Sofinë, 2 javë më parë në Tiranë. Njësoj si ai edhe Mikel Shallari, një tjetër i ri 25-vjeçar banues në Kuçovë kundrejt pagesës vrau ish-komisarin e policisë, Artan Cuku në vitin 2017.

Një tjetër ngjarje e rëndë ishte dhe vendosja e eksplozivit në Kamëz pak kohë më parë edhe kjo e porositur kundrejt parave për eliminimin fizik të një personi. Në pranga për të ranë vëllezërit Enver dhe Edmond Jakimi si dhe Gjergj Cukali si porositës.

Ndonëse ngjarjet e rënda nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën e përbashkëta e këtyre vrasësve me pagesë është se asnjëri prej tyre nuk mori pagesë pas kryerjes së krimit.

Ernejt Shytit i ishin premtuar 50 mijë euro pas ekzekutimit të Behar Sofisë, por në prokurori ai tha se nuk i kishte marrë këto para. I riu me profesion bojaxhi jetonte me qira me nënën e tij në kryeqytet, pranë rrugës “Bardhyl”, ndërsa u identifikua përmes profilit të ADN-së, kryer nga gjurmët e lëna në rrobat që braktisi pas ngjarjes.

Katër vite më parë thuajse me të njëjtën histori për nga mënyra e veprimit, u prangos dhe Mikel Shallari. Pasi ekzekutoi ish-komisarin e policisë Artan Cuku në sheshpushimin e pallatit të tij në rrugën e Kosovarëve, 25-vjeçari u largua në këmbë.

Ashtu si dhe Shyti ai hoqi rrobat e përdorura në krim dhe i hodhi në një kosh mbeturinash. Gjetja e tyre dhe testi gjenetik çuan në identifikimin e tij. Ernejt Shytit dhe Mikel Shallarit u ishin premtuar para për vrasjet, por nuk i morën asnjëherë. Edhe për vëllezërit Jakimi të cilët do të duhet të hidhnin në erë makinën, së bashku me objektivin Gjon Mena në Kamëz u ishin premtuar para, por që nuk i morën të plota.

Nga dosja hetimore Gjergj Cukali u kishte premtuar 40 mijë euro për të eliminuar Menën, ndërsa u kishte dhënë vetëm 10 mijë euro vëllezërve. Pjesa tjetër do të merrej pas përfundimit të atentatit. Këto para nuk u morën asnjëherë, ndërsa të gjitha historitë përfunduan me prangosjen e vrasësve me pagesë.