Mahnit rrjetin 17-vjeçari Hansel, “engjëlli” i basketbollit me një krah të vetëm

Po mahnit rrjetet sociale, historia e Hansel Enmanuel Donato Rodriguez, një 17-vjeçar i gjatë 1.96, i cili në ekipin  e tij që luan në Nju-Jork po shkëlqen, me një mesatare prej 25 pikësh për ndeshje, 31 në ndeshjen e fundit.

Statistika të mira, por jo të jashtëzakonshme, po mos të ishte i jashtëzakonshëm vetë Hanseli, djaloshi dominikan që nga mosha 6-vjeçare jeton përditshmërinë e tij dhe luan basketboll me një krahë të vetëm.

Tjetrin, ai e humbi në Republikën Dominikane pas shembjes së një muri, ai që si djali i një lojtar të njohur të atij vendi, ëndërronte të ndiqte hapat e babait.

Familja e tij emigroi në Shtetet e Bashkuara 5 vite më parë, Hanseli iu bashkua më vonë, dhe falë një shkolle private si Life Christian Academy iu mundësua realizimi i ëndrrës, të jetë edhe ai protagonist në parket.

Hansel Rodriguez ndërkohë është shndërruar në një yll të rrjeteve sociale, profili i tij në Instagram ka tejkaluar 126 mijë personat, i ndjekur nga protagonistë të NBA ku ai shpreson dikur të luajë, si Andre Drummond dhe Thaddeus Young, që mbështesin dhe mrekullohen me teknikën e tij, që pothuajse të bën të harrosh mungesën e gjymtyrës.  

“Disabiliteti nuk është asgjë, mund t’i ndodhë kujtdo, por duhet të shohësh përpara dhe mos të ndalesh kurrë.”