Mbërrijnë 9360 doza të vaksinës Pfizer, Manastirliu: Prej prillit do të marrim ngarkesat sipas kontratës

WhatsApp Image 2021 03 15 at 22.56.13 1100x620

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ministri i Shtetit, Arben Ahmetaj pritën në aeroportin e Rinasit dërgesën e radhës së vaksinave të Pfizer kundër koronavirusit.

Manastirliu u shpreh se vaksinimi do të vijojnë pa ndërprerje dhe deklaroi se prej prillit dërgesat me vaksina do të vijnë sipas kontratës.

“Sot kemi edhe 9360 doza, të cilat vijnë nga kontrata jonë me Pfizer. Do të vijojmë me rivaksinimin, pra me dozat e dyta edhe do të përmbyllim gjithë pjesën e parë të vaksinimeve të kryera për stafet mjekësore edhe për të moshuarit në Shtëpitë e të Moshuarve, edhe për të moshuarit +80 vjeç, për të siguruar mbrojtjen e plotë.

Nga ana tjetër, prej muajit Prill do të vijojmë të kemi dozat sipas kontratës, dhe do të vijojmë me vaksinimin e kategorisë mbi 80 vjeç, për ta shtrirë edhe në grupmoshat e tjera”, tha Manastirliu.