Meta ngre tonet: Mos prisni president të përsosur, kam plan të qartë për të mbrojtur votën

Presidenti Ilir Meta, në një konferencë për mediat, ka sqaruar, për herë të parë zyrtarisht, incidentin në zyrat e FRD-së në kryeqytet. Në deklaratën e tij, kreu i shtetit thotë se sulmet ndaj FRD-së janë kryer në shkelje të kushtetutës.

“Sulmet ndaj FRD-së janë kryer në shkelje të kushtetutës dhe pa asnjë akt zyrtar që legjitimon veprimtarinë e tyre. Veprimtaria e kreut të bashkisë është cenim i hapur i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe minon frymën demokratike që duhet të karakterizojë të gjitha subjektet. Në zyrat e FRD ishte ngjitur një letër pa orgjinë, pa vulë, pa protokoll që ta bënin të dukej si akt zyrtar për të justifikuar veprimet e dukshme arbitrare. Kjo letër nuk plotëson asnjë element minimal. I kërkohej lirimi i ambienteve për nevoja të bashkisë. FRD-së i është shkëputur energjia, ndërkohë që kryetari dhe disa drejtues ishin të bllokuar brenda zyrave. Kam ndryshuar agjendën dhe vizitova selinë e FRD-së, kontaktova dhe u drejtova për në zyrën e FRD-së. Kur u drejtuam në hyrjen kryesore të godinës dera ishte rrethuar me policë me uniformë sikur të ishte skenë krimi dhe jo selia e një partie ligjshme.”

Me tone të ngritura, kreu i shtetit i bëri thirrje popullit të mbrojë votën e tij ndaj kujtdo dhe tha se në këtë krizë që ka pllakosur vendin mos prisni president të përsosur, pasi detyra e presidentit është t’i dalë zot kushtetutës.

“Raste të tilla me letra bakalli ka që te Shkoza, te bregu i Lumit dhe kjo ka ndodhur se u dhunuan zgjedhjet në Shijak dhe Dibër. Promovohen kandidatë për deputet dhunuesit e zgjedhjeve. I bëj thirrje popullit shqiptar të mbrojë votën e tij ndaj kujtdo. Mos prisni president të përsosur në këtë krizë që ka pllakosur vendin tonë. Presidenti ka plan të qartë, ka vetëm një votë që do të jetë e barabartë me qytetarinë e Shqipërisë. Qytetarët e Shqipërisë nuk kanë vlerësuar të drejtën e tyre. Aty është e drejta e ndihmës ekonomike dhe e pronës. Çdo qytetar i Shqipërisë të tregojë përgjegjshmëri maksimale për votën e tij. Përdhunohet e drejta kushtetuese e një force politike në mes të Tiranës dhe në prani të presidentit. Përballë nesh është një bandë ndërkombëtare duke shtypur popullin.”