Patozi për incidentet: Partitë e vjetra janë karta të djegura, nuk kanë ç’të ofrojnë

Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, ka reaguar pas ditëve të mbushura me tension deri në përplasje fizike mes simpatizantëve të forcave politike në garë për zgjedhjet e 25 prillit, por jo vetëm.

Sa i takon përplasjes në zyrat e FRD në Tiranë, ku u përfshi edhe presidenti i Republikës Ilir Meta, Patozi ka këtë reagim. “Unë nuk dua të merrem me sherret banale të politikës së vjetër në këtë kohë, mund të them vetëm një gjë, që janë shenja të sigurta se shqiptarët duhet të ndërrojnë partinë që kanë mbështetur deri tani. Kjo pasi këto parti nuk kanë çfarë t’i japin më Shqipërisë, është një formë e shëmtuar e të bërit politikë e cila mesa duket do të degradojë deri sa të vijë 25 prilli dhe e vetmja ofertë që mund të sjellë diçka të re jemi ne ose ndonjë parti tjetër, por jo 3 klasiket e vjetra PD, PS apo LSI”, deklaroi ai.

Këto deklarata, drejtuesi i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, i ka bërë pas prezantimit të kandidatëve në qarkun e Korçës.