Publikohen pamjet, pak momente para vrasjes së Behar Sofisë, autori çaloi për të mos u identifikuar

Behar Sofia sapo kishte dalë nga kafeneja në një qendër tregtare në rrugën e Elbasanit. Por këto do të ishin minutat e fundit të jetës së tij pasi pak metra më tutje, në unazë, në afërsi të Lanës e priste vrasësi.

Enejt Shyti është fiksuar nga kamerat e sigurisë, ndërsa për t’u mos identifikuar çalon në rrugën që lidh urën që të çon drejt kishës katolike dhe piramidës.

Për një moment, ai kalon në krahun tjetër të rrugës, por këtu Behar Sofia me nxitim kalon semaforin. 24-vjeçari detyrohet të kthehet pas, ndërsa pamjet filmike tregojnë sesi ai i del përballë 66-vjeçarit për t’u siguruar se ai është objektivi.

Më pas, Shyti kthehet sërish dhe e ndjek viktimën i veshur me një xhup të zi dhe me kapuç për tu mos diktuar. Pas krimit të rëndë, ai u largua me një biçikletë në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa hetuesit arritën të gjejnë rrobat që kishte hedhur.