Skena apokaliptike në Pekin, stuhia më e rëndë e rërës përfshin 12 provinca të Kinës

Këto imazhe nuk vijnë nga planeti Mars, por nga Kina, këtu në tokë. Pekini u mbulua nga pluhuri ndërsa përjetoi atë që byroja e meteorologjisë e konsideroi si stuhinë më të keqe të rërës në një dekadë. Ky fenomen shkaktoi ndotje të lartë të ajrit dhe në disa zona të kryeqytetit kinez shkoi deri në 160 herë mbi nivelin e rekomanduar. Qindra fluturime u anuluan, teksa qielli u mbulua nga një mjegull ngjyrëportokalli, gjë e cila krijoi këto imazhe që ngjasojnë me skena apokaliptike.

Flora Zou, banore e Pekinit: “Duket si fundi i botës. Me këtë lloj kohe, vërtetë që nuk dëshiroj të dal jashtë”.

Erin Zhang, banore e Pekinit: “Sot moti nuk është i mirë. Por dëgjova në lajme se do të përmirësohet gjatë pasdites. Kjo është natyra. Përballë saj, njerëzit janë shumë të vegjël dhe të pafuqishëm. Prandaj duhet të bëjmë çfarë mundemi për të mbrojtur mjedisin”.

Rëra është ngritur në ajër në Mongoli dhe u zhvendos në Kinë nga erërat e forta. Stuhia e rëndë u ka marrë jetën 6 personave në Mongoli, ndërsa disa të tjerë janë shpallur të zhdukur. Në Kinë ka prekur 12 provinca, përfshirë Pekinin. Autoritetet kanë marrë masa për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve duke kufizuar të gjitha aktivitetet në ambiente të hapura.