U etiketua si sekser i Greqisë, Dule i përgjigjet Ramës

15 MARS 2021 DITARI 13 00 CLN frame 37358 1100x620

Si pjesë e minoritetit grek në Shqipëri, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, zgjodhi t’i përgjigjej kryeministrit Rama me një thënie të urtë greke, lidhur me etiketimin që kreu i qeverisë bëri ndaj tij kur e quajti sekser të Greqisë. “Secili ka dobësinë të gjykojë të tjerët duke nisur nga vetja. Rama duke qenë sekser i profesionalizuar nuk i sheh të tjerët jashtë këtij kostumi”.

I ftuar në “Ditari” në A2 CNN, Dule tha se deklarata e kreut të qeverisë dhe gjuha e përdorur ndaj tij në fushatë, nuk janë gjë tjetër veçse problemi që i sjell Ramës, kandidatura e tij.

“Më vjen mirë që kandidatura ime është një problem për të. Do përpiqem që ky problem të zmadhohet dhe deri në realizmin e misionit që nuk është i imi, por largimi i një orë e më parë nga pushteti i tij”.

Dhe në këtë kontekst ai shprehet se forcat opozitare të cilat janë heterogjene, janë bashkuar me të vetmin qëllim për të larguar Ramën nga pushteti dhe për të ndryshuar Shqipërinë.

“Forcat politike i përshtaten realitetit politik. Cili është motivi që ka bashkuar ato forca? Nuk ka forca homogjene, por heterogjene. Motivi i vetëm është t’i sjellim këtij vendi ndryshimin e qytetarëve dhe shoqërisë. Dhe ky ndryshim vjen vetëm me largimin e Ramës. Ne vijmë me synimin të ndryshojmë gjithçka pozitivisht. Rruga drejt BE-së ka devijuar nga shinat, ta sjellim në shtratin e vet normal këtë proces”.

I pyetur në lidhje me përplasjet dhe incidentet në fushatë, kreu i PBDNJ-së shprehet se ato janë të provokuara nga kryeministri, i cili sipas tij do të vërë në rrezik procesin zgjedhor. Ai u bën apel presidentit dhe forcave politike që të jenë të vendosur dhe të qetë në mënyrë që loja e Ramës, sipas tij, të mos ketë sukses.

“Ramës nuk i intereson që të kemi fushatë të civilizuar dhe të qetë. Çdo qytetar duhet. Edi Rama do votë të verbër, të blerë dhe të diktuar nga dhuna dhe ne si opozitë nuk e tolerojmë këtë.

Nga përplasjet dhe incidentet përfiton vetëm Rama. Në çdo vend ka protesta ku shfaqen liderët. Por që 2 mijë vetave, qytetarët e Elbasanit protestojnë, t’i vërsulësh njerëz të inkriminuar, ndërkohë që kemi vite që flasim për dekriminalizim. Ne duhet t’i japim shansin politikës të pastrohet nga këto zgjedhje. Një kryeministër që preferon fjalorin banal të sarkazmës politike. Edi Rama do të vërë në rrezik serioz procesin e ardhshëm zgjedhor dhe rrjedhimisht presidenti dhe forcat politike duhet të jenë të vendosur dhe të qetë që loja e tij të mos ketë sukses. Kush provokon? Provokon vetëm njëra palë që do t’i shmanget debatit”.

Dule e konsideron të drejtë reagimin e presidentit për mbrojtjen e votës, pasi sipas tij jemi i vetmi vend që nuk kemi zhvilluar një proces zgjedhor pa manipulim.

“Nuk jemi në realitetin që presidenti kërkon votë për opozitën. Kreu i shtetit e ka detyrim që të jetë në çdo situatë i preokupuar për një proces themeltar demokratik. Pa votë të lirë nuk ka demokraci e të drejta të njeriut. Nuk ka asgjë për votën e lirë. Ne për të fat keq konstatojmë që jemi i vetmi vend që nuk kemi arritur të zhvillojmë një proces zgjedhor pa hije manipulimi.”

Një moment prove dhe sfide e konsideron kandidimin e tij në Tiranë, kur do të preferonte Vlorën apo Gjirokastrën, por Dule thotë se më e rëndësishme është beteja elektorale e koalicionit sesa interesi partiak.

“Do zgjidhja Vlorën ose Gjirokastrën, por tani jemi një grupim i madh forcash dhe secili nuk e shikon pozitën e vet në funksion partiak, por në interes të përgjithshëm të koalicionit. Primare është që koalicioni të realizojë objektivin e vet. Jam në tiranë.  Nuk do isha njësoj i kënaqur po të isha në vendin e 15, por betejën elektorale do ta kisha njësoj. Është një shans edhe për PBDNJ. Kemi numër të konsiderueshëm minoritarë dhe vllah dhe janë grupet e margjinalizuara që kanë gjetur mbështetje te ne. Është momenti të provohemi. Askush nuk mund të dalë nga kostumi i partisë së vet. Është një program i gjerë, i vështirë dhe një sfidë se terreni që do lërë pas Rama është tokë e djegur, ajo që pret qeverinë e re është sfidë e përmasave historike për vendin do jetë një periudhë që do sjellë sfida nga më të mëdhatë dhe rrjedhojë e politikave të dështuara. Do të preferoja dialog konstruktiv, dhe në Tiranë mund të gjesh kolegë deputetë që mund të bësh biseda dhe uroj të ndryshojë kahu i fushatës së PS-së drejt çështjeve thelbësore dhe jo heqjes së vëmendjes mes provokimeve.”