Vaksinimi i mësuesve, dyshime dhe frikë për AstraZenekën, asnjë problem deri tani

Dyshimet e ngritura mbi vaksinën e Astra Zeneca dhe bllokimet nga disa vende të Europës kanë shkaktuar konfuzion edhe në Shqipëri.

Mësuesit, të parët që po marrin dozat e kësaj vaksine në vendin tonë, janë përfshirë nga frika dhe skepticizmi. Para se të firmosin për kryerjen e vaksinës arsimtarët thonë se janë konsultuar gjatë me specialistë brenda dhe jashtë vendit.

“Isha skeptike në fillim, por tani nuk jam. Kam lexuar shumë, kam pyetur dhe jam menduar gjatë. Tani erdha ta bëj”, thotë një arsimtare.

Silva Bino justifikon frikën e mësuesve pas zhurmës që u krijua njëherazi nga shumë vende në Europë përtej kontinentit. Për A2 CNN, shefja për sëmundjet infektive, deklaron se nuk ka të dhëna shkencore që AstraZeneka të japë probleme me mpiksjen e gjakut dhe humbje jete.

Silva Bino

“Skepticizmi dhe frika është pjese e njeriut dhe sidomos pas diskutimeve që po bëhen. Por të gjitha këto duhen sqaruar edhe në lidhje me elementet pozitive që ka vaksina dhe që nuk ka asnjë lidhje shkakësore mes këtyre ngjarjeve. Deri tani, nuk kemi pasur probleme, vetëm ato efekte që ka vaksina. Nga 100 mësues të vaksinuar, 4 kanë pasur temperaturë”, thotë ajo.   

Mësuesit që kanë marrë dozën e parë të AstraZenekës thonë se do të jenë më të sigurt edhe pse një pjesë e tyre e kanë kaluar më herët koronavirusin.

“Erdha ta bëj pasi duhet të jem më e sigurt, pasi me frikë po jetojmë çdo ditë”, thotë njëra prej tyre.

 Ndryshe nga Pfizer, AstraZeneca ka një protokoll tjetër për marrjen e dozës së dytë. “Pas 12 javësh, pra pas 3 muajsh mund të marrësh dozën e dytë. Nëse e ke kaluar koronavirusin mund të mjaftohen dhe vetëm me një dozë”, vijon Bino.

Rreth 200 arsimtarë në Tiranë e po kaq në Vlorë, në Korçë, Pogradec e Kukës kanë marrë dozën e parë të vaksinës së AstraZeneca. Procesi po kryhet në ambientet e shkollave paralelisht me vaksinimin e mjekëve dhe të moshuarve, të cilët po marrin Pfizerin.