Vlorë, një vit pandemi. Turizmi më i goditur, biznesi i vogël i rrënuar

Një vit nga nisja e pandemisë në vendin tonë, përveç problematikave që kanë të bëjnë me shëndetin e njerëzve, një tjetër problem i krijuar kanë qenë edhe dëmet e biznesit.

Në një qytet turistik si Vlora, sektori i turizmit duket se ka ndjerë më tepër efektet negative të pandemisë. Këtë fakt e pohon edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Vlorës.

Ndërkohë, biznesi i vogël është ai që thuajse është përgjysmuar gjatë këtij viti pandemik. Nëse sektori i turizmit ka ndjerë pasojat duke reduktuar të ardhurat, biznesi i vogël është detyruar të mbyllë mbi 52% të aktivitetit të tij.

Kryetari i Dhomës së tregtisë dhe industrisë së Vlorës, Arben Breshani

Kryetari i Dhomës së tregtisë dhe industrisë së Vlorës, Arben Breshani, shprehet se nëse ndihma e qeverisë do të ishte më efikase, atëherë biznesi i vogël nuk do të kishte shifër kaq të lartë të mbylljeve.

“Biznesi i vogël e kemi theksuar që donte një paketë shumë të fuqishme, pasi ka edhe punësimin më të madh të njerëzve”, thotë për A2 Breshani.

Tanimë shpresa e rimëkëmbjes së biznesit shikohet në sezonin e afërt veror, i cili shpresohet të jetë ndryshe nga ai i kaluari dhe ku bizneset në fushën e turizmit kësaj radhe nuk po i kërkojnë më qeverisë paketa ndihmës ekonomike, por vaksinim të personelit të hoteleve për të garantuar një sezon të suksesshëm dhe të shëndetshëm.