“Absolut 4”: Pandemia dhe sfida e vaksinimit

1 22 600x338

Tomini: U vendos që të vijojë aplikimi i Astrazenecas, të vaksinuarit po monitorohen për efekte anësore

Procesi i vaksinimit të mësuesve me Astrazeneca është shtrirë në të gjithë Shqipërinë, pavarësisht debatit dhe dyshimeve që janë ngritur gjatë kohëve të fundit mbi vaksinat e AstraZeneca, që janë pezulluar nga shumë vende në Europë dhe jo vetëm.

Sipas zëvendësministres së shëndetësisë, Eugena Tomini, nuk është gjetur lidhje shkak-pasojë mes aplikimit të vaksinës dhe mpiksjes së gjakut, ndaj është vendosur që vaksinimi në vend të vijojë.

Sipas Tominit, të vaksinuarit po monitorohen për efekte post vaksinale, megjithatë është ende herët për të folur për efekte anësore.

“Realisht situata e vaksinimit në Shqipëri ka proceduar sipas një plani paraprak dhe një strategjie për vaksinimin e popullatës për Covid-19. Ndërkohë prurja e ardhur prej 38.400 dozash nga instrumenti Covax, ishte në kuadër të marrëveshjes që Shqipëria ka kryer në 6 mujorin e dytë të 2020. Ju e dini që instrumenti Covax ka një përqindje prej 20% të mbulesës së popullatës, ndërkohë tratativat e qeverisë shqiptare kanë qenë për kanale të tjera komunikimi për prurje të sasive të tjera të vaksinave nga industri të tjera farmaceutike.

Dhe ndërkohë pavarsisht daljeve të disa rasteve që kanë rezultuar në një popullatë që ka aplikuar vaksinën e Astrazenecas, sigurisht që dhe ne kemi një komunitet për imunizimin dhe një grup ekspertësh për imunizimin teknik. Kemi edhe komitetin për aksionet post vaksinale. Të tre komitetet luajnë rol në momente kyçe, vlerësimin e situatës së pandemisë, prej hyrjes së vaksinës në territorin shqiptar dhe më pas për efektet anësore. Vlerësimi i tyre në mënyrë të njëpasnjëshme, takimet e tyre përkundrejt evidencave të rasteve që janë shfaqur për tromboembolinë, sigurisht që ka qenë një vendim unanim i komitetit kombëtar të imunizimit për vijueshmërinë e apilikimit të Astrazenecas.

Efektet anësore monitorohen nga një proces i tërë i survejancës së reaksioneve apo të ngjarjeve pas aplikimit të vaksinës, dhe sigurisht ne jemi në hapat e parë dhe duhet një kohë më e gjatë për të parë dhe efektet anësore.

Duhet të theksojmë një element tjetër. Ashtu siç edhe ne botë, apo Europë, apo dhe nga Londra, Kanadaja, nga vende që e kanë aplikuar në një sasi të konsiderueshme Astrazenecan nuk është gjetur një lidhje shkak-pasojë tek personat që e kanë aplikuar vaksinën dhe kanë pasur tromboemboli. Në momentin e vlerësimit të rasteve që kanë pasur mpiksje gjaku, nuk është gjetur lidhje mes shkakut që është vaksina me pasojën që ështe tromboembolia. Argumentat më bindëse që EMA do nxjerrë më datën 18, kanë në investigim të gjitha rastet e mundshme të supozuara që mund të kenë lidhje me vaksinën.

Deri në këto momente OBSH ka përforcuar elementin tjetër të rëndësishëm, që nuk është gjendur lidhja mes shkakut dhe pasojës. Sigurisht që është shumë e rëndësishme të kemi në mbulesë të mirë vaksinale, të mos hezitojmë vaksinimin për të ulur efektet e Covidit dhe për të ulur klinikat e ashpra.”, u shpreh Tomini.

Pezullimi i vaksinimit me AstraZeneca, Brataj: Çfarë lidhje ka vaksina me infarktin?

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ishte më kategorik në lidhje me çështjen e krijuar në shumë vende të botës të cilat kanë pezulluar përkohësisht procesin e vaksinimit me AstraZeneca.

Sipas Brataj, vaksinat nuk kanë asnjë lidhje me mpiksjen e gjakut. Ai shtoi se aktualisht po hetohet për një sasi vaksinash të prodhuara nga AstraZeneca të cilat dyshohet se kanë shkaktuar rastet e mundshme me tromboli, të raportuar në disa vende të botës.

Ai shtoi se efektet anësore të të treja vaksinave kryesore kundër koronavirusit janë prezantuar prej kohësh.

“Çfarë lidhje ka vaksina me infarktin? Kardiologët kanë dalë prej muajsh që kanë thënë ka pasur një rritje me 15% të sëmundjeve kardiake dhe për shkak të pandemisë. Realiteti është ky që një parti e prodhuar e këtyre vaksinave që mund të ketë shkaktuar këto 38 raste me mpiksje të gjakut. Nuk ka mosha të reja. Në Piemonte u ndalua përkohësisht vaksinimi për dy orë, u vlerësua situata. Nuk u vërtetua asnjë lidhje për vdekjet me vaksinën dhe vaksinimi nisi sërish.

Komplikacionet e 3 vaksinave i kemi. AstraZeneca ka efekte anësore dhimbje, dhimbje koke, temperaturë deri në 38, të vjella. Edhe kur ka temperaturë, organizmi reagon, por kjo është gjë pozitive. Edhe në institucionin që drejtoj unë nuk e bënë të gjithë vaksinën dhe shumë ndërruan mendjen. Vetë virusi Covid shkakton këto lloj mpiksje të gjakut”, u shpreh Brataj.

Koduzi: Unë s’do ta merrja vaksinën AstraZeneca në këtë moment, po bëhet presion ndaj mësuesve

Gazmend Koduzi, nga departamenti i Shëndetit pranë PD, u shpreh në Absolut 4 se është krijuar shumë konfuzion mbi vaksinat, veçanërisht për ato AstraZeneca.

Ai theksoi se në këto momente, nuk do të pranonte ta merrte vaksinën. “Qeveria shqiptare duhet të punonte për të rritur besimin e qytetarëve shqiptarë. Shqiptarët thonë, se ajo që është e keqe për gjermanët qenka e mirë për ne? Në këtë drejtim, qeveria duhet të punonte për të rritur besimin. Me AstraZeneca po vaksinohen arsimtarët. Për momentin duhej ndaluar vaksinimi, për të rritur besimin. OBSH thotë se rreziku është i ulët, por derisa vaksina është me dëshirë, qytetarët janë të trullosur. Në këtë situatë, edhe unë do të ngurroja ta bëjë këtë vaksinë. Unë e kam kaluar Covid-19, por sërish do të hezitoja. Çështja është se njerëzit duhet të jenë të qetë kur ta bëjnë vaksinën”.

Më tej, ai denoncoi se po bëhet presion ndaj mësuesve, duke iu kërkuar të plotësojnë një formular kur ata nuk pranojnë të vaksinohen.

“Po u bëhet presion duke iu kërkuar të plotësojnë një formular nëse duan apo jo ta bëjnë vaksinën, por në botë nuk ndodh kështu. Unë kam denconcuar sot që një kërkesë e tillë u ka shkuar mësuesve në Shkodër. Ka një orientim nga Ministria e Arsimit”, tha Koduzi.

Ky formular nuk ka lidhje fare në drejtim të presionit, ky është i njëjti protokoll i ndjekur edhe me grupet e tjera të popullsisë.

A nisi vonë vaksinimi në Shqipëri? Debat në Absolut 4

“Ne jemi vendi i parë në Europë për bluzat e bardha që kanë humbur jetën nga koronavirusi në bazë të numrit të personelit mjekësor. Nëse vaksinimi do të kishte nisur më herët dhe i fokusuar te personeli mjekësor, situata do të ishte krejtësisht ndryshe”.

Kështu u shpreh në Absolut 4 Gazmend Koduzi, nga departamenti i Shëndetit pranë PD. Ndërkohë, Eugena Tomini, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Skender Brataj, drejtor i Urgjencës Kombëtare e kundërshtuan.

“Bota e filloi më 27 dhjetor dhe as një muaj më vonë, vaksinimi nisi edhe në Shqipëri”, reagoi Brataj. “11 janari nuk ishte aspak vonë”, reagoi Tomini.

Por Koduzi u shpreh se nuk mund të llogaritet si proces i nisur me vetëm 970 doza. “Proces quhet kur ke në depo me qindra mijëra doza. Janë 47 bluza të bardha që kanë humbur jetën nga koronavirusi. Përveçse janë lënë vetëm, ne jemi vendi i parë në Europë”, tha Koduzi.

Vaksinat ruse dhe kineze, Brataj: Politika duhet të lejojë mjekët të vendosin, Tomini: Janë hapur kanale komunikimi

Në emisionin e së martës “Absolut 4” në A2 u diskutua dhe në lidhje me ndryshimin e kursit të qeverisë në lidhje me vaksinat kineze dhe ruse.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Brataj u shpreh se politika duhet të jetë në anën e mjekëve në këto momente dhe duhet të lejojë profesionistët të vendosin për këto çështje. Megjithatë, ai mbështeti qëndrimin e mëparshëm të kryeministrit Rama duke thënë se bisedimet për vaksinën nuk bëhen me një SMS, duke iu referuar postimit të ambasadës ruse.

 “Politika duhet të jetë nga ana e mjekëve dhe duhet të na lejojë ne të vendosim duhet ta bëjmë apo jo pasi qytetari çorientohet. Qindra mjekë më kanë shkruar sot nëse ta bënin vaksinën apo jo. Po të mos vinë njerëzit të vaksinohen do të vijojë mosbesimi dhe të sëmurët. Për deklaratat e kryeministrit them dhe unë që një shtet serioz nuk dërgon një SMS apo një Twitter. Edhe qeveria mbajti një qëndrim properëndimor çfarë ka këtu për keqkuptim. Shqetësimi është nga do ta marrim informacionin. Tani kanë kaluar fazat ku mund të bëhej eksperimente me këto vaksina. Ato kanë dhënë efektet e tyre dhe tani do të rishikojmë”, tha Brataj.

Ndërsa zv/ministrja Tomini shpjegoi se tashmë me aktin normativ të miratuar nga qeveria hapen të gjitha mënyrat e komunikimit për të siguruar vaksinat e tjera përfshirë këtu atë ruse dhe kineze.

“Dalja e aktit normativ i hap rrugë tratativave për të marrë dhe vaksina të tjera. Sputnik po pret certifikimin e EMA. Vetë vendet që e kanë prodhuar vaksinën kanë autoritetet e tyre të kontrollit. Edhe shtetet e tjera që kanë marrë këto vaksina kanë një proces shumë të mirë të monitorimit të procesit. Akti normativ të lejon që vaksinën mund ta marrësh me të gjitha mënyrat e komunikimit”, shtoi Tomini.

“I mbrojtët me maska të skaduara”, akuza në “Absolut 4” për humbjet e jetëve të mjekëve

Gazmend Koduzi, nga departamenti i Shëndetit pranë PD, ka debatuar me zëvendësministren e shëndetësisë Eugena Tomini dhe kreun e Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, për vdekjet e mjekëve nga koronavirusi.

Sipas Koduzit, numri i mjekëve që kanë humbur jetën në Shqipëri është më i lartë se në vendet fqinje ndërsa hedh akuza se mjekët nuk janë mbrojtur nga qeveria, por i kanë blerë vetë maskat dhe mjetet e mbrojtjes personale. Sipas tij, mbrojtja që qeveria mund t’iu ofronte ishin disa maska të skaduara.

“Maqedonia me 6 mijë mjekë ka 20 vdekje nga mjekët, pra 0.3%. Italia ka 285 personel mjekësor në 245 mijë mjekë, pra 0.1%. Shqipëria ka deri më sot 47 në 4400, pra është 1.1%, 10 herë më shumë së Italia.

Pra të nderuar kolegë jemi shumë mbrapa. Janë mjekë të gjithë. Të gjithë që janë thirrur në punë dhe janë thirrur në punë. Këto janë shifra, janë mjekë shqiptarë që kanë punuar në sistemin shëndetësor shqiptar dhe kanë humbur jetën. Moment delikat duhej të ishte në fillim fare për të marrë masat mbrojtëse. Nuk janë marrë masa. Mjekët e familjes dhe personeli parësor janë lënë pa mjete mbrojtëse. I kanë blerë vetë, maskën, mburojën, të gjitha. Me ato 1.2 milionë maska të skaduara do i mbronit ata”, u shpreh Koduzi në “Absolut 4”.

Koduzi: Edi Rama si Enver Hoxha, ka institucione për sigurimin e vaksinës

I ashpër ka qenë reagimi kreut të departamentit të Shëndetësisë pranë PD, Gazment Koduzi në lidhje me sjelljen e kryeministrit Edi Rama për çështjen e sigurimit të vaksinës antiCovid.

Sipas Koduzit, në asnjë vend të botës nuk shkon kryeministri në dyert e kompanive për të kërkuar vaksina pasi ka institucione për këto çështje. Ai e krahasoi Edi Ramën me Enver Hoxhën duke thënë se kërkon të krijojë konceptin e unit.

“Ndihem shumë i qetë me atë që thanë dy kolegët që e di Ai (Edi Rama), si para 1990 që e dinte Enver Hoxha, ndërsa tani e di Edi Rama, lypësi i madh. Angazhimi i kryeministrit ka qenë zero. Më thoni një rast kur një kryeministër i vendeve fqinje kanë shkuar dhe kanë kontraktuar me kompanitë. Asnjë. Sepse ka institucione.

Në këtë rast zoti Rama është në rolin e babait të madh dhe ne shqiptarët themi që shyqyr që po robtohet babai për të lypur vaksina për ne. Në çdo vend të botës ka institucione përkatëse që merren me këtë punë. Mos ngatërroni daljen publike me shkuarjen për të bërë pazar në Nju Jork. Shteti ka institucione, nëse të gjitha shkrihen në një atëherë kthehemi tek koncepti i Unit pra tek Enver Hoxha”, tha zyrtari i PD.