Atalanta ndaj Realit për hakmarrje, City thuajse në çerekfinale

ata real 567x338

Një karton i kuq që prishi të gjitha balancat dhe një gol i pësuar në fundin e takimit. Kjo është ajo çfarë Atalanta përjetoi në përballjen e parë të 1/8 të Champions League kundër Realit të Madridit në Bergamo.

Dy skuadrat luajnë 90 minutat e dyta, me italianët ku aktivizohet edhe Berat Gjimshiti që kërkojnë hakmarrjen, ndërsa nuk kanë asgjë për të humbur sa i përket kualifikimit. Trajneri Gianpiero Gasperini ka bërë me dije se mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare është rekuperuar nga dëmtimi në takimin me Specian, ku la fushën e lojës në fillim të pjesës së dytë, pas një dëmtimi në kofshë dhe sot pritet ta nisë përballjen e rëndësishme si titullar.

Nga kampi i madrilenëve, Zidane u shfaq i shqetësuar për atë që e pret në takimin me italianët: “Nuk jam aspak i qetë, pasi ata do të vijnë të inatosur për shkak të kartonit të kuq në ndeshjen e parë dhe do të japin diçka më shumë, duke sulmuar vazhdimisht. Kanë një filozofi të qartë loje, që nuk e ndryshojnë. Nëse nuk jep 100%, ndaj tyre rrezikon ta pësosh keq”.

Në fushë zbresin sot edhe Manchester City dhe Borusia Monchengladbach. Anglezët e Pep Guardiolës pritet të formalizojnë kualifikimin, pas fitores së pastër 2-0 në Gjermani.