“Dalja nga pandemia është ende larg”, mjeku Cenko: Shqetësim, pamjaftueshmëria e vaksinave

Vaksina nuk është çelësi i artë, por një instrument në kontrollin e pandemisë, pasi marrja e masave dhe zbatimi i tyre do të vazhdojë. Këtë opinion dha në “Dita jonë” mjeku Fabian Cenko i cili shton se çdo vaksinë që kalon sigurinë duhet të përdoret për frenimin e pandemisë.

“Dalja nga kjo pandemi është larg. Sfidat janë të qarta në këtë moment, por edhe ato të ardhshmet për të ndjekur elementet e pandemisë, si parandalimi, trajtimet e lehta, trajtimet spitalore dhe ai që do na ndihmojë të dalim nga ky tunel që është vaksina.”

Sipas tij, nëse Shqipëria do të kishte ndjekur masat që ndoqën edhe vende të tjera do të kishte pasur më pak raste dhe më pak humbje jete. Cenko theksoi gjithashtu se një element i rëndësishëm në menaxhimin e pandemisë është edhe cilësia e trajtimit spitalor.

“Masat merren nga politika. Në këtë shpërthim eksponencial të rasteve nuk pati asnjë masë. Kemi 2 muaj që zgjedhim mënyrën tonë të menaxhimit. Në këtë moment, po shohim një ulje të lehtë të rasteve, por që nuk është reflektuar te vdekjet dhe rastet e rënda, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të masave kufizuese ku njerëzit të jenë të detyruar të distancohen, nuk ka ndodhur për arsye që lidhen me vaksinën. Por kjo lidhet me faktin se disa persona që u duhet të komunikojnë ruhen apo nuk ruhen dhe tashmë janë prekur, dhe unë besoj që ata persona që janë ende të painfektuar në momentin e parë që do kuptojnë se numrat po ulen, aty do të kemi rritje tjetër. Nëse do kishim marrë masa absolutisht që do të kishim më pak infektime, raste të rënda dhe më pak vdekje. Një nga elementet që lidhet me faktin si është menaxhuar kjo pandemi ka të bëjë me cilësinë e trajtimit spitalor, shpërndarja gjeografike e spitaleve nuk është në ndihmë të rasteve dhe e dyta kush është percepsioni i spitaleve në popullatë. Njerëzit përballen me risqe të mëdha.”

Shqetësim për mjekun Cenko është pamjaftueshmëria e vaksinave dhe deklarata qeveritare që nuk kanë lidhje me realitetin në vendin tonë. Sipas tij, nuk ka vend për të promovuar shpresën e uljes së moshës së vaksinimit ku ende janë te mbi 80 vjeçarët që janë vetëm 20 mijë.

“Për mua, meraku i parë do të ishte që nuk kemi vaksina mjaftueshëm dhe jemi në realitet të çuditshëm që ndërsa nuk kemi vaksina përballë sfidave ndërkombëtare dhe nga ana tjetër gjendemi përballë prononcimeve mediatike qeveritare që nuk ka lidhje me realitetin dhe situatën aktuale, si psh: “Shumë shpejt do fillojmë të ulim moshën e personave”, kur 82 mijë persona janë mbi 80 vjeç, po të shtojmë dhe 20 mijë individë të personelit shëndetësor, nuk ka vend për të promovuar shpresën e uljes së moshës nën 80 vjeçarë.”

Sa i takon debatit më të fundit lidhur me vaksinën e Oksfordit AstraZeneca, ai tha se trombozat e shkaktuar nuk janë aspak më të larta se në popullatën e përgjithshme

“Astrazeneca përdoret mbi 18 vjeç, OBSH kërkonte që të mbulonin me sëmundje shoqëruese dhe mbi 65 vjeç. EMA dhe OBSH citojnë që kjo vaksinë është administruar deri më 11 mars në 5 mln doza dhe ka pasur 30 raste të fenomeneve të trombozës. Tromboza shkaktohet nga faktorët që lidhen me gjakun. Nuk është aspak më i lartë se në popullatën e përgjithshme.”