I shkaktoi vdekjen të moshuarit pasi e përplasi me biçikletë në Londër, 23-vjeçari shqiptar: Nuk ndalova pasi kisha frikë se më deportonin

Emir Loka, një 23-vjeçar shqiptar, i cili përplasi me biçikletë duke i shkaktuar vdekjen një punonjësi spitali, i tha sot një gjykate angleze se nuk ndaloi për ta ndihmuar viktimën pasi kishte frikë se do ta deportonin në Shqipëri.

I riu mendohet se kaloi me të kuqe në semafor dhe përplasi 72-vjeçarin Peter McCombie. Pasi u përplas, koka e të moshuarit goditi trotuarin, duke pësuar frakturë në kafkë dhe dëmtim truri. Ngjarja ndodhi në Londër, në korrikun e vitit të kaluar.

Në sallën e gjyqit, Loka tha se punonte në dy punë (në ndërtim dhe në një restorant turk) dhe përpara aksidentit kishte një javë që flinte vetëm 3 orë gjumë natën.

Avokati i tij mbrojtës tha se shkak i aksidentit ishte lodhja e tepërt e të riut dhe shtoi se ai kurrë më parë nuk kishte kaluar me të kuqe në semafor.

Vetë 23-vjeçari deklaroi se u largua me nxitim nga vendi i aksidentit për shkak se policia do të merrte vesh se ai po qëndronte në Angli në mënyrë të paligjshme.

“Mendova se zotëria do të bëhej mirë. U tregova frikacak. Vetëm pasi një shok më tregoi videot e mia nga kamerat e sigurisë, vendosa që të dorëzohesha në polici”, tha Loka.