Koduzi: Unë s’do ta merrja vaksinën AstraZeneca në këtë moment, po bëhet presion ndaj mësuesve

Gazmend Koduzi, nga departamenti i Shëndetit pranë PD, u shpreh në Absolut 4 se është krijuar shumë konfuzion mbi vaksinat, veçanërisht për ato AstraZeneca.

Ai theksoi se në këto momente, nuk do të pranonte ta merrte vaksinën. “Qeveria shqiptare duhet të punonte për të rritur besimin e qytetarëve shqiptarë. Shqiptarët thonë, se ajo që është e keqe për gjermanët qenka e mirë për ne? Në këtë drejtim, qeveria duhet të punonte për të rritur besimin. Me AstraZeneca po vaksinohen arsimtarët. Për momentin duhej ndaluar vaksinimi, për të rritur besimin. OBSH thotë se rreziku është i ulët, por derisa vaksina është me dëshirë, qytetarët janë të trullosur. Në këtë situatë, edhe unë do të ngurroja ta bëjë këtë vaksinë. Unë e kam kaluar Covid-19, por sërish do të hezitoja. Çështja është se njerëzit duhet të jenë të qetë kur ta bëjnë vaksinën”.

Më tej, ai denoncoi se po bëhet presion ndaj mësuesve, duke iu kërkuar të plotësojnë një formular kur ata nuk pranojnë të vaksinohen.

“Po u bëhet presion duke iu kërkuar të plotësojnë një formular nëse duan apo jo ta bëjnë vaksinën, por në botë nuk ndodh kështu. Unë kam denconcuar sot që një kërkesë e tillë u ka shkuar mësuesve në Shkodër. Ka një orientim nga Ministria e Arsimit”, tha Koduzi.

Ky formular nuk ka lidhje fare në drejtim të presionit, ky është i njëjti protokoll i ndjekur edhe me grupet e tjera të popullsisë.