“Kooperativa e shpresës”, gratë e Krushës që ringjallën jetën pas terrorit

Kooperativa bujqësore Krusha në Kosovë është simboli i mbijetesës së grave të këtij fshati dhe dëshirës së paepur për të ringjallur shpresën dhe jetën në këtë vend. Në mars të vitit 1999, ushtria famëkeqe e Milosheviçit bëri një masakër të vërtetë në këtë fshat, duke vrarë mbi 150 burra dhe duke lënë të veja po kaq gra dhe jetimë shumë më tepër fëmijë.

Pas kësaj masakre, Fahrie Hoti nisi sërish e vetme përpjekjet për të ushqyer fëmijët e saj dhe vit pas viti mblodhi rreth vetes edhe gratë e tjera të fshatit për të mbërritur sot në këtë kooperativë e cila u ngrit edhe me mbështetjen e Bashkimit Europian, dhe bizneseve.

Ambasadori shqiptar në Kosovë Qemal Minxhozi ka luajtur rolin e koordinatorit në këtë sipërmarrje, ka vlerësuar rolin e grave të Krushës të cilat sipas tij nuk e lanë vendin të shkretohej por e ringjallën sërish.

Aktualisht në kooperativën “Krusha” punojnë 60 gra të tjera të fshatit, të cilat ndajnë fatin e njëjtë me  Fahrije Hotin. Me mjediset e reja bashkëkohore, të denja siç i ka hije, gratë e Krushës do të kenë mundësinë të mbajnë familjet, të rrisin fëmijët e të kontribuojnë në zhvillimin e zonës.