Koreja e Veriut thyen heshtjen: SHBA po përpiqet të përhapë aromën e barutit

Koreja e Veriut thyen heshtjen dhe paralajmëron presidentin amerikan, Joe Biden, që të mos “e nisë me këmbën e gabuar që në hapin e parë”.

Në një deklaratë për median shtetërore, Kim Yo-jong, motra e diktatorit Kim Jong-un, kritikoi Uashingtonin dhe Seulin për zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake. Kjo vjen teksa kreu i Shtëpisë së Bardhë përgatitet të prezantojë politikat e tij koreane.

Qeveria amerikane njoftoi se ka tentuar për disa javë të vendosë kontakte diplomatike me Korenë e Veriut, por pa marrë një përgjigje.

Reagimi që vjen nga motra e vogël e Kim Jong Un është mjaft serioze, pasi ajo shikohet si aleatja e vetme e fuqishme dhe e afërt brenda familjes diktatoriale. 

“Një këshillë për administratën e re të Shteteve të Bashkuara që po përpiqet të përhapë aromën e barutit në token tonë përgjatë oqeanit. Nëse dëshironi të flini të qetë për katër vitet e ardhshme, bëni mirë që të shmangni aromën e keqe që në hapin e parë”, u shpreh Kim Yo-jong.

Uashingtoni dhe Peniani kanë një grindje të vazhdueshme në distancë lidhur me programet bërthamore dhe raketore të Koresë komuniste. Kim Yo-jong në reagimin e saj i cilësoi stërvitjet e përbashkëta si parapërgatitje për pushtim dhe nënvizoi se “i takon sërish Koresë së Jugut të zgjedhë mes ‘Marshimit për Luftë’ dhe ‘Marshimit të krizës’.

Në Seul është pritur ky lloj reagimi, që shpesh në të kaluarën ka ardhur në formën e një testi raketor.