Lirimi i Billës, ILD kërkon shkarkimin e prokurorit të Krujës, Bujar Memia

Pas gjyqtares Enkelejda Hoxha, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë kërkon shkarkimin edhe të prokurorit të Krujës, Bujar Memia.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, kërkon nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shkarkimin nga detyra të prokurorit të Krujës, Bujar Memia, pas hetimit dhe vlerësimit të provave në lidhje me lirimin e Hekuran Billës. Sipas ILD, prokurori Memia nuk ka bërë ankimin për lirimin e tij.  

“Nga analiza ligjore e fakteve të konstatuara gjatë hetimit disiplinor rezulton se nga ana e magjistratit Bujar Memia janë ndërmarrë veprime/mosveprime të cilat kanë të bëjnë me mospërmbushjen e pajustifikuar të funksioneve gjatë dhe pas gjykimit, që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor në kundërshtim me ligjin, si dhe mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal, akte të konstatuara në 4 procese gjyqësore.”

ILD konstaton se nga ana e magjistratit Bujar Memia janë ndërmarrë veprime apo mosveprime të cilat kanë të bëjnë me: “Mospërmbushje të pajustifikuar të funksioneve gjatë dhe pas gjykimit. Mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit dhe mosveprime e sjellje të magjistratit, që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor në kundërshtim me ligjin. Mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit, mosveprime e sjellje të magjistratit, që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor. Mosrespektim i rëndë dhe i vazhduar i legjislacionit material dhe procedural penal”.

Sipas ILD, ushtrimi i parregullt i detyrës nga ana e magjistratit ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, cenimin e prestigjit jo vetëm të gjykatës dhe humbjen e besimit ndaj tij, por dhe të prokurorisë, si përfaqësuese e interesit publik në gjykim, duke cenuar besimin e publikut te drejtësia.

“Zhvillimi i procedurave me objekt “Lirim me kusht” nga ana e gjykatës si dhe mungesa e ankimimeve të këtyre vendimeve është shoqëruar me një pasqyrim të gjerë mediatik, duke risjellë veprat penale të personazheve në fjalë. Mediat përmes raportimeve, analizave apo emisioneve të posaçme kanë ndjekur me vëmendje ecurinë e veprimeve me lirimet e tyre.  Rrjedhimisht, sjellja konkrete jo vetëm e gjykatës, por dhe pasiviteti dhe mosveprimi i prokurorit për të kontrolluar ligjshmërinë e kësaj vendimmarrje ndikoi në uljen e besimit publik te sistemi gjyqësor, dhe nxiti hakmarrjen ndaj të dënuarit. Është fakt i njohur tashmë, ekzekutimi i të dënuarit H.B më datë 11.06.2020″, shpjegon ILD.

Prokuroria Memia, u arrestua së bashku me gjyqtaren e Enkelejda Hoxha dhe disa punonjës të Gjykatës së Krujës, pas hetimeve disa mujore dhe zbulimit të një skeme mashtrimi për lirimin e disa të dënuarve.