Luhen vetëm me një ndeshje, pretendentët për titull, sfidë edhe në çerekfinalet e Kupës

KUPA E SHQIPERISE PRAG CEREKFINALET 1100x620

Një mënyrë për të shpëtuar sezonin. Rruga për të siguruar një trofe, por mbi të gjitha, garancia për një biletë në kupat e Europës. Kupa e Shqipërisë i merr skenën kampionatit, me pretendentët për titull, Laçi dhe Partizani që sfidohen për një vend në gjysmëfinale.

“Është një ndeshje që kualifikimi është 50 me 50, për vetë ecurinë e skuadrave deri më tani në kampionat. Në kampionat mund të bësh ndonjë hap fals, kurse në Kupë jo. Do e mendojmë këtë 90-minutëshsi një duel ku duhet të japim gjithçka. Objektiv kemi edhe kupën”, u shpreh Ilir Daja, trajner i Partizanit.

Vllaznia dhe Kukësi kërkojnë kthesën në Kupë. Shkodranët kanë një test jo të vështirë me Korabin, ndërsa ekipi i Josës përballet me Teutën.

“U kemi premtuar drejtuesve të klubit se do ta ndryshojmë këtë gjendje. Vërtetë, Korabi vjen nga Kategoria e Parë, por të mos harrojmë se ka eliminuar Tiranën në Kupë. Shpresoj të jemi në gjysmëfinale, si një mundësi e mirë për ta fituar këtë trofe, sepse do të ishte diçka e bukur për Vllazninë dhe Shkodrën”, u shpreh Elvis Plori, zëvendëstrajner i Vllaznisë.

Ekipet që kualifikohen mes katër më të mirave të Kupës do të përcaktohen prej kësaj të mërkure, pasi me formatin e ri, ndeshjet luhen me eliminim të drejtë për drejtë.