Qeveria e re në Kosovë, Parlamenti do të mblidhet në 22 mars

Parlamenti i ri i Kosovës do të mblidhet me 22 mars. Vendimi u mor të hënën nga ushtruesja e detyrës së presidentit Vjosa Osmani, pak pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e votimit të 14 shkurtit. Njoftimi erdhi në ditën kur Osmani dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nisën një seri diskutimesh me partitë politike për formimin e institucioneve të reja.

Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thanë të hënën se i takon lëvizjes Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit që të gjejnë rrugët e formimit të institucioneve, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit, një proces sfidues për shkak të numrit të votave që nevojiten.

Lëvizja Vetëvendosje e cila arriti një fitore të thellë në zgjedhje me 58 vende në parlamentin 120 vendesh, nuk pret të përballet me vështirësi për formimin e qeverisë, për miratimin e së cilës duhen të paktën 61 vota. Por, zgjedhja e presidentit kërkon dy të tretat e votave, përkatësisht 80 vota të deputetëve, që të paktën duhet të jenë të pranishëm në sallën e parlamentit gjatë votimit. Vetëvendosje ka kandiduar Vjosa Osmanin për këtë post.

Gjatë javës pritet që Kurti të vazhdojë diskutimet me partitë tjera politike përfshirë edhe Lidhjen Demokratike, e cila një ditë më parë zgjodhi Lumir Abdixhikun në postin e kryetarit të saj.

Mbledhja e parlamentit, duhet të pasohet me ngritjen e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit. Dështimi për të zgjedhur presidentin e ri mund të çojë sërish në zgjedhje të parakohshme.

  • LAJMI I FUNDIT | PD drejt 13 qershorit - Absolut 4
  • LAJMI I FUNDIT | Të ftuar: Çlirim Gjata, Genti Malko, Lutfi Dervishi, Ilir Kalemaj
  • LAJMI I FUNDIT | PD drejt 13 qershorit - Absolut 4