Nokia do të shkurtojë deri në 10 mijë vende pune në të gjithë botën

nokia1 1100x620

Gjiganti finlandez i telekomunikacioneve Nokia do të shkurtojë 5000-10 000 vende pune në të gjithë botën në dy vitet e ardhshme, për të ulur kostot.

Rreth 960 vende pune në filialin e kompanisë në Mbretërinë e Bashkuar janë në rrezik, si pjesë e shkurtimeve të kostove me 600 milionë euro.

Nokia po synon kapjen e 5G, dhe planifikon të investojë në informatikë, “cloud” dhe kërkime në infrastrukturën digjitale.

Kompania aktualisht ka 90 mijë punonjës në të gjithë botën dhe ka shkurtuar mijëra vende pune që nga blerja e prodhuesit të pajisjeve të telekomit Alcatel-Lucent në 2016.

Nokia dikur ishte prodhuesi më i madh i aparateve celularë në botë, por dështoi të parashikonte popullaritetin e telefonave me prekje, si iPhone i Apple dhe Galaxy i Samsung dhe u rrëzua në mënyrë spektakolare nga rivalët e saj.

Pasi shiti biznesin e saj të celularëve te Microsoft, Nokia u përqendrua në pajisjet e telekomunikacionit. Më vonë kompania hyri në një marrëveshje licencimi për celularët me markë Nokia.