Pezullimi i vaksinimit me AstraZeneca, Brataj: Çfarë lidhje ka vaksina me infarktin?

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ishte më kategorik në lidhje me çështjen e krijuar në shumë vende të botës të cilat kanë pezulluar përkohësisht procesin e vaksinimit me AstraZeneca.

Sipas Brataj, vaksinat nuk kanë asnjë lidhje me mpiksjen e gjakut. Ai shtoi se aktualisht po hetohet për një sasi vaksinash të prodhuara nga AstraZeneca të cilat dyshohet se kanë shkaktuar rastet e mundshme me tromboli, të raportuar në disa vende të botës.

Ai shtoi se efektet anësore të të treja vaksinave kryesore kundër koronavirusit janë prezantuar prej kohësh.

“Çfarë lidhje ka vaksina me infarktin? Kardiologët kanë dalë prej muajsh që kanë thënë ka pasur një rritje me 15% të sëmundjeve kardiake dhe për shkak të pandemisë. Realiteti është ky që një parti e prodhuar e këtyre vaksinave që mund të ketë shkaktuar këto 38 raste me mpiksje të gjakut. Nuk ka mosha të reja. Në Piemonte u ndalua përkohësisht vaksinimi për dy orë, u vlerësua situata. Nuk u vërtetua asnjë lidhje për vdekjet me vaksinën dhe vaksinimi nisi sërish.

Komplikacionet e 3 vaksinave i kemi. AstraZeneca ka efekte anësore dhimbje, dhimbje koke, temperaturë deri në 38, të vjella. Edhe kur ka temperaturë, organizmi reagon, por kjo është gjë pozitive. Edhe në institucionin që drejtoj unë nuk e bënë të gjithë vaksinën dhe shumë ndërruan mendjen. Vetë virusi Covid shkakton këto lloj mpiksje të gjakut”, u shpreh Brataj.