Programi për arsimin, Rama sulmon opozitën: Duan ta kthejnë nën hyqmin e Markut dhe Gjekmarkut

16 MARS RAMA frame 1654 1100x620

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar opozitën gjatë prezantimit të programit për shkollat dhe universitetet. Ai tha se 7 vite më parë, arsimi digjte brezat e nxënësve në zjarrin e keqqeverisjes së një tranzicioni të çoroditur, ndërsa sot theksoi ai hyrja në universitet është bazuar mbi meritokraci dhe transparencë.

“Koha kur mësuesit e Shqipërisë ishin vetëm, të braktisur në mes të boshllëkut gërryes, kur arsimi shqiptar digjte brezat e nxënësve në zjarrin e keqqeverisjes së një tranzicioni të çoroditur. Nuk ishte në fushatat zgjedhore të shumë kohëve më parë pas përmbysjes së komunizmit, por deri dy fushata më parë, në 2013, gati çerek shekulli pasi komunizmi na la shëndenë, koha kur mësuesit viheshin në rresht dhe mbushnin sheshet e mitingjeve elektorale të kryeministrit të kohës apo vendet e shfaqjes së kohës së partive të opozitës, si të ishin ata figurantët e paradave të dikurshme të 1 majit komunist që parakalonin kundër mbarë botës. Vetëm një dekadë më parë, rasti skandaloz kur mësuesit u përdorën për t’i bërë karshillëk opozitës që protestonte për të hapur kutitë e votimit. E po njësoj do të përdoreshin 2 vite më pas, për atë koncertin makabër në sheshin “Nënë Tereza” kundër marshimit të heshtur nga opozita në nderin e dëshmorëve të 21 janarit. E detyroi DASH atë farë burrë shteti të hiqte dorë nga ai makabritet dhe mësuesit i shpëtuan një poshtërimi të egër.

Duke u ndalur te 3 kandidatët për deputetë demokratë, Mark Marku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi, kreu i qeverisë tha se opozita kërkon ta rikthejë arsimin nën hyqmin e tyre. Sipas tij, të tre kandidatët demokratë janë reaksionarë dhe sharrëxhinj.

“Sot, mitingjet e kryeministrit në oborret e shkollave, ku fëmijët dëgjonin të sharat për opozitën duken si pjellë e një fantazie të shthurur, por kur drejtonin këta që duan të rikthehen në drejtim për ta vënë në arsimin në hyqmin e Markut, të Gjekmarkut ishte realiteti i hidhur i marrëdhënies së pushtetit me shkollat. Ja ku i keni tre ministrat e arsimit të KÇK-së, dy personazhe autosatirike, të klubeve të natës mediatike dhe një zonjë e njohur vetëm për fjalorin sharje-shpifës, foltore më foltore. Të tre reaksionarë, sharëxhinj, si sharrëxhinj, sharroj me sharr dhe si sharëxhi, shaj e shaj”.

Në qeverinë socialiste, Rama theksoi se hyrja në universitet është bërë në bazë të meritës, falë sistemit të digjitalizimit që e bën të pamanipulueshëm dhe transparent.

“Sistemi i hyrjes në universitet është meritokratik dhe i pamanipulueshëm se çdo gjë lë menjëherë gjurmë, përveç ankesave dhe sharjeve të atyre të treve dhe shumë si këta që u hodhën përpjetë kur ne imponuam këtë sistem, asnjë ankesë nga të interesuarit. Nuk ka kënaqësi më të madhe se të shohësh që fëmijët nuk ndahen më siç u ndan deri kur ne erdhëm në drejtimin e arsimit, në të pasur apo varfër, në të njohur dhe të panjohur, por hyjnë në auditorë me forcat e tyre dhe nuk ka asgjë që ua ndalon hyrjen dhe nuk hyjnë në auditorë vitrinash të rreme, apo kristale false, po në universitete të akredituara ndërkombëtarisht. Shqipëria nuk mund të mbajë universitete për të nxjerrë rrugëve pafundësi ekonomistë dhe juristë”.