Rama prezanton programin për arsimin: Fund mësimit me turne, program për artet dhe zejet

Në prezantimin e programit socialist për arsimin, kryeministri Edi Rama premtoi rritje pagash deri në 40% për mësuesit. Ai tha se do të çelet programi për artin dhe zejet në mënyrë që të mbajë larg fëmijët nga teknologjia, ndërsa deri në vitin 2025 do të licensohen të gjithë drejtuesit e shkollave.

“Në planin tonë do të rrisim pagat e mësuesve me 40%. Anglishtja do të mësohet që në klasë të parë. Hapim programin kombëtar të kodimit për fëmijët 12-18 vjeç. Fëmijëve do t’u jepen njohuri për ndërveprimet brenda saj. Qendra e parë është kjo e Tiranës, qendrat e tjera do të ngrihen në Kukës, Shkodër e Dibër. Çelim program kombëtar të arteve dhe zejeve. Do të krijojmë kushte për të ushtruar mendjen dhe duart, në përpjekjen si detyrim ndaj fëmijëve që bota e Iphone-ve dhe Ipad-eve të mos marrë peng mendjen, shqisat dhe trupin e tyre. Edukimin fizik që e rikthyem në programin shkollor, do të zërë vend më të rëndësishëm që nga klasa e parë e deri në universitet. Deri në 2025 të gjithë drejtuesit e shkollave do licensohen për të drejtuar një qendër komunitare ku mësimi, aktivitetet kulturore dhe komuniteti janë bashkë në ndërveprim të shumëfishtë e të harmonizuar.”

Po kështu, kreu i qeverisë theksoi se në mandatin e tretë do t’i jepet fund mësimit me turne, si edhe do të fuqizohen kurset e personalizuara.

“Mandati i tretë do të sjellë fundin e mësimit me 2 turne për shkak të mungesës së klasave. Eksperienca gjatë pandemisë do të kthehet në bazë për mbylljen e praktikës së vjetër në harmoni me edukimin e drejtpërdrejtë në shkollë. Do të fuqizojmë programin e kurseve të personalizuara dhe mësuesve t’u jepet akses i plotë nën monitorimin e drejtorisë së përgjithshme të arsimit.”