Rrezikohen zgjedhje të reja, Presidenca te Barça kushton 125 mln euro

LAPORTA 125 MLN EURO BARCELONA frame 311 1100x620

Orë frenetike te Barcelona. Joan Laporta është në kërkim të vrullshëm të fondeve, për t’u emëruar zyrtarisht president i Barcelonës. Për të drejtuar zyrën më të rëndësishme në “Camp Nou”, kandidati fitues i zgjedhjeve duhet t’i garantojë klubit 125 milionë euro, përpara se të nisë nga puna.

Pasi fitoi shumicën e votave nga tifozët, Laporta trokiti në dyert e shumë institucioneve financiare, duke pretenduar që të plotësonte shifrën e nevojshme. Por tentativat e tij të deritanishme nuk kanë rezultuar të suksesshme, pasi deri më tani janë siguruar vetëm 50 milionë euro.

Laporta ka vetëm pak orë kohë që të plotësojë diferencën e fondit. Sipas rregullores së klubit, të mërkurën është afati i fundit për garantimin e shifrës, me të cilën 58-vjeçari do të marrë drejtimin e Barcelonës.

Nëse afati nuk do të respektohet, atëherë “blaugranat” do të detyrohen të organizojë sërish zgjedhjet për drejtuesin më të lartë. Në klub ishte gjithçka gati për ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri, por vonesat në sigurimin e fondeve për garancinë financiare nga Laporta, e kanë komplikuar çështjen.

Edhe pse koha është e shkurtër, burime pranë drejtuesit të ri në “Camp Nou” kanë shprehur besim se ngërçi financiar do të zgjidhet përpara se afati të përfundojë.