Tensionet në fushatë, Topalli në “Dita jonë”: Uroj që mos të kthehet viti 1997

Jozefina Topalli, kreu i “Lëvizjes për Ndryshim”, e ftuar në studion e “Dita jonë” në A2, komentoi incidentet e fundit mes simpatizantëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, të ndodhura në Elbasan.

Sipas saj, të dyja palët tregojnë që janë shumë të nervozuar dhe shtoi se ndoshta kanë strategji, destabilizimin e vendit.

“Unë e shikoj si linjë konflikti. Ajo që ka ndodhur në Elbasan më ka shqetësuar dhe mendoj se kanë strategji destabilizimin e vendit ndoshta. Kam një bindje që të dyja palët kanë parë në sondazhet e tyre se nuk marrin votat e nevojshme për të krijuar qeveri. Nuk ke pse rrezikon destabilitetin e vendit për karrigen personale. Uroj që gjëja të mos shkojë deri në krijimin e një tjetër viti 1997”, u shpreh Topalli.

Në lidhje me qasjen e popullit tonë ndaj të kaluarës, Topalli nënvizoi se: “Ne nuk kemi arritur që të kemi një kulturë të vërtetë demokratike, të besojmë te vota dhe të dënojmë atë që ka ndodhur gjatë diktaturës”.

“Të gjithë shqiptarët kanë vuajtur dhe sot konstatoj frikë të madhe, përveç qendrës së Tiranës, sepse njerëzit nuk kanë siguri për punë. Objektivat kryesore janë lufta kundër korrupsionit dhe ndaj varfërisë. Kjo kërkon një kryeministër me integritet”, shtoi Topalli.