U arratis nga psikiatriku, francezi vret punonjësen shqiptare të hotelit

Një shqiptare 33 vjeç u gjet e vdekur në hotelin ku ajo punonte prej kohësh si pjesëtare e stafit shërbyes. Mediat belge bëjnë me dije se vrasja ka ndodhur ditën e hënë, në Ruisbroek të Brukselit, në Belgjikë.

Autori është një francez 36 vjeç, i cili ishte arratisur nga Spitali Psikiatrik i Marsejës në Francë dhe pasi udhëtoi 1 mijë kilometër, hyri në hotel për të rezervuar një dhomë.

Nga përshkrimet e stafit dhe filmimet e kamerave të sigurisë është mësuar se shtetasi francez nisi të ecte lakuriq në korridorin e hotelit, duke hapur dyert e dhomave, kur dy anëtare femra të stafit, u përpoqën ta qetësonin.

Pikërisht në atë moment, ai ka vrarë 33-vjeçaren me origjinë shqiptare, e cila quhej Xhuljeta dhe jetonte prej vitesh në atë zonë. Ende mbetet e paqartë rrjedha e ngjarjes sesi ajo mbeti e vdekur, ndërsa policia belge arrestoi autorin e ngjarjes.