Vaksinat ruse dhe kineze, Brataj: Politika duhet të lejojë mjekët të vendosin, Tomini: Janë hapur kanale komunikimi

Në emisionin e së martës “Absolut 4” në A2 u diskutua dhe në lidhje me ndryshimin e kursit të qeverisë në lidhje me vaksinat kineze dhe ruse.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Brataj u shpreh se politika duhet të jetë në anën e mjekëve në këto momente dhe duhet të lejojë profesionistët të vendosin për këto çështje. Megjithatë, ai mbështeti qëndrimin e mëparshëm të kryeministrit Rama duke thënë se bisedimet për vaksinën nuk bëhen me një SMS, duke iu referuar postimit të ambasadës ruse.

“Politika duhet të jetë nga ana e mjekëve dhe duhet të na lejojë ne të vendosim duhet ta bëjmë apo jo pasi qytetari çorientohet. Qindra mjekë më kanë shkruar sot nëse ta bënin vaksinën apo jo. Po të mos vinë njerëzit të vaksinohen do të vijojë mosbesimi dhe të sëmurët. Për deklaratat e kryeministrit them dhe unë që një shtet serioz nuk dërgon një SMS apo një Twitter. Edhe qeveria mbajti një qëndrim properëndimor çfarë ka këtu për keqkuptim. Shqetësimi është nga do ta marrim informacionin. Tani kanë kaluar fazat ku mund të bëhej eksperimente me këto vaksina. Ato kanë dhënë efektet e tyre dhe tani do të rishikojmë”, tha Brataj.

Ndërsa zv/ministrja Tomini shpjegoi se tashmë me aktin normativ të miratuar nga qeveria hapen të gjitha mënyrat e komunikimit për të siguruar vaksinat e tjera përfshirë këtu atë ruse dhe kineze.

“Dalja e aktit normativ i hap rrugë tratativave për të marrë dhe vaksina të tjera. Sputnik po pret certifikimin e EMA. Vetë vendet që e kanë prodhuar vaksinën kanë autoritetet e tyre të kontrollit. Edhe shtetet e tjera që kanë marrë këto vaksina kanë një proces shumë të mirë të monitorimit të procesit. Akti normativ të lejon që vaksinën mund ta marrësh me të gjitha mënyrat e komunikimit”, shtoi Tomini.