Vdes gruaja dhe plagoset polici pas shkëmbimit të zjarrit, policia publikon videon shokuese

Policia amerikane ka publikuar një video shokuese nga kamera e trupit e një polici, ku është kapur momenti i shkëmbimit të zjarrit mes tij dhe një gruaje, e cila ishte ndaluar pasi kërkohej për 6 akuza, që kishin lidhje me zotërimin e lëndëve narkotike.

Nga shkëmbimi i zjarrit në Tenesi, gruaja ndërroi jetë, ndërsa polici u plagos.

Josh Baker ndaloi makinën që po drejtohej nga 31-vjeçarja Nika Holbert. Pas kontrollit të çantës së saj, polici gjeti një substancë të dyshimtë. Në tentativën për ta arrestuar gruan, ajo rezistoi duke bërtitur se nuk kishte bërë gjë të keqe.

Polici e kapi nga krahu dhe e tërhoqi për të dalë nga makina, por në atë moment, 31-vjeçarja nxjerr një pistoletë dhe qëllon në drejtim të tij. Polici kthen zjarrin, por gruaja arrin të largohet me makinë dhe ecën disa metra përpara se të përplaset me një shtyllë.

Autoritetet sqaruan se gruaja vdiq nga plumbi që kishte marrë në kraharor.