Zbardhja e vrasjes së Behar Sofisë, Veliu falënderon strukturat policore

veliu 1100x620

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka thirrur në një takim falënderues, përfaqësuesit e strukturave që u angazhuan për zbardhjen e vrasjes së Behar Sofisë në Tiranë.

“E ndiej detyrim moral, por edhe përgjegjësi, që si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit t’ju falënderoj dhe t’ju inkurajoj për punën e jashtëzakonshme profesionale, por edhe angazhimin fizik, pasi për 15 ditë rresht të gjithë ju keni punuar minimalisht 16 deri në 20 orë në ditë. Puna në grup, koordinimi i veprimeve, shkëmbimi i informacioneve dhe besueshmëria mes strukturave ka funksionuar maksimalisht, duke çuar në rezultatin final zbardhjen e ngjarjes, identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e 4 vrasësve me pagesë”, tha Veliu.

Veliu shtoi se i ka përcjellë “kolegëve të Malit të Zi, falënderimet më të sinqerta, pasi në rast se nuk do të kishim gjetur gatishmërinë dhe dashamirësinë e kolegëve tanë në Malin e Zi, nuk do të kishim bërë dot të mundur kapjen e autorit kryesor të ngjarjes, i cili fshihej në Malin e Zi” .