Zgjedhjet në kohë pandemie, Holanda shndërron Kishat në qendra votimi

HOLANDE 1100x620

Kishat janë mes ndërtesave të pazakonta që po përdoren si qendra votimi në zgjedhjet e përgjithshme tre ditore në Holandë. Autoritetet i zgjodhën për shkak të hapësirave të mëdha duke mundësuar respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

 Në kishën De Duif, të stilit neo-barok në Amsterdam, njerëzit mbajtën radhë për të hedhur votën e tyre në ditën e parë të zgjedhjeve. Për shkak të akustikës së mirë, në këtë kishë, emri i së cilës përkthehet “Pellumbi”, mbahen shpesh koncerte. Tani po shërben si qendër votimi, ndërsa qytetarët thonëse ndjehen të sigurtë.

“Ka më pak njerëz këtu se në qendrat e tjera të votimit, pasi ka më shumë hapësirë se në shkolla. Mendoj se jam më pak i rrezikuar këtu.”, shprehet një banor.

Për disa të tjerë, kjo ishte një mundësi e mirë për ta vizituar ndërtesën për herë të parë.

“Menduam me bashkëshortin, që duhej të vinim këtu, pasi në të kundërt nuk do ta shikoja kurrë. Të paktën unë, pasi nuk jam besimtare. Është një copëz e mrekullueshme kulture. Prandaj zgjodhëm këtë vend për të votuar.”, deklaroi Willie Jansen.

Kryeministri Mark Rutte, një nga liderët europianë me jetëgjatë në pushtet, pritet që të marrë mjaftueshëm mbështetje për një mandat të katërt në këto zgjedhje. Sondazhet nxjerrin partinë konservatore të Rutte si forcë e parë me rreth 26% të votave, ndërsa ndjekësi më i afërt është partia opozitare anti-islam e Geert Wilders me 16% të preferencave.