Biden e akuzoi Putin si vrasës, tensionohet më tej situata SHBA-Rusi

putin 1100x620

Rusia ka thërritur për konsultime ambasadorin e saj në Shtetet e Bashkuara pas incidenteve të fundit mes dy vendeve.

“Ambasadori rus në Uashington, Anatoly Antonov, është ftuar të vijë në Moskë për konsultime me qëllim të analizimit për atë që duhet bërë në kontekstin e lidhjeve me Shtetet e Bashkuara”, tha ministria e Jashtme ruse, përmes një deklarate për shtyp.

Rusia theksoi se dëshiron të parandalojë një përkeqësim të pakthyeshëm në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Vendimi i Rusisë, erdhi disa orë pasi presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se Rusia do të paguajë një çmim të lartë për tentativën e ndërhyrjes në zgjedhjet amerikane të vitit 2020 dhe e cilësoi presidentin rus Vladimir Putin si një vrasës.

I pyetur gjatë një interviste në ABC News se cilat mund të jenë pasojat, Biden u përgjigj se “ju do t’i shihni së shpejti”.

Ndërhyrja e Bidenit që rrezikon të tensionojë në maksimum marrëdhëniet e SHBA-së me Rusinë, vjen një ditë pas raportit të shërbimeve sekrete amerikane, sipas të cilit, Putin autorizoi operacione për të ulur figurën e Biden, duke ndihmuar Trump me objektivin e përçarjes sociale në vend.

Kremilini reagoi menjëherë, duke e cilësuar intervistën e Biden si një “sulm drejt Rusisë, një histeri që buron nga pamundësia”.