Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

MB Vaksina.duplicate frame 0 1100x620

Pas humbjes në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, PDK mbledh sot kryesinë për të diskutuar mbi pasojat dhe të ardhmen. Sikurse e konfirmoi drejtuesi i saj i përkohshëm, Enver Hoxhaj, nuk bëhet fjalë për shkarkim të kryesisë, por vetëm për qëndrimin që do të ketë kjo forcë politike në opozitë. 

Haradinaj nuk heq dorë nga kandidatura për President

Nëpërmjet një deklarate për mediat, Ramush Haradinaj i AAK ia bëri të qartë Albin Kurtit se votat e partisë së tij do i ketë në dispozicion vetëm për emrin e Presidentit, gjithnjë nëse ky post do të jetë i tij. Sipas Haradinajt, Kurti i ka votat e nevojshme për krijimin e qeverisë.

8 viktima në 3 sulme në SHBA, mes tyre 6 aziatike

Tetë persona mbetën të vrarë mes të cilëve 6 femra me origjinë aziatike në Atlanta, pas sulmit në 3 qendra të ndryshme masazhi përgjatë vendit. Policia ende nuk e ka zbardhur pistën e ngjarjes, por dyshimet e para thonë se bëhet fjalë për sulm terrorist me sfond racor. Autori i sulmeve është një 21-vjeçar i vënë tashmë në pranga.

Debate mbi përdorimin e vaksinës së kompanisë Astrazenca në vendet e BE-së

Vijon debati mbi përdorimin e vaksinës së kompanisë Astrazenca në vendet e BE-së kur shumica e kanë ndaluar për një periudhë të shkurtër. Ndërkohë BE-ja del nesër me vendimin zyrtar pavarësisht se prej ditës së djeshme theksoi edhe një herë për besimin te kjo vaksinë.

BE-ja jep sot vendimin mbi certifikatën e vaksinimit

Bashkimi Europian pritet të dalë sot me një përfundim mbi propozimin e disa vendeve për certifikatën e vaksinimit çka do t’i hapte rrugën gjithkujt që ka marrë dozat kundër Covid-19 dhe dëshiron të udhëtojë brenda vendeve të Shengen. Por një ditë para vendimit, OBSH-ja shprehu edhe një herë qëndrimin e saj kundër kësaj procedure që do të kërkonte angazhim dhe kohë shtesë.

Mbyllet sot votimi për qeverinë në Holandë, pritet fitorja e Rutte

Holanda përmbyll sot në kushte pandemike votimet për qeverinë e re që do të drejtojë vendin. Zgjedhjet zgjatën për tri ditë për shkak të respektimit të masave kundër Covid 19 dhe për këtë qëllim u përdorën të gjitha ambientet e mundshme. Kryeministri Mark Rutte, pritet që të marrë mjaftueshëm mbështetje për një mandat të katërt.

CIA: Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane

Shërbimi Inteligjent Amerikan, CIA, publikoi një raport ku vërteton se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit të shkuar në Amerikë, me qëllim mbajtjen në pushtet të presidentit Donald Trump. Përpjekje të tilla, thuhet në raport, janë drejtuar personalisht nga Vladimir Putin. Uashingtoni pritet të vendosë për sanksione ndaj Moskës duke nisur prej javës së ardhshme.

Rusia i jep një muaj kohë Twitter, që të heqë të gjitha postimet

Rusia i ka dhënë një muaj kohë rrjetit social Twitter që të heqë të gjitha postimet e sinjalizuara prej saj, përndryshe do të bllokohet përfundimisht në territorin që ajo kontrollon. Kjo ishte deklarata më e fundit e një zëdhënësi të Kremlinit, sipas të cilit, Twitter nuk i ka kthyer ende përgjigje për sinjalizimet e bëra dhe nuk ka marrë asnjë veprim në lidhje me to.