Franca u kthen trashëgimtarëve të familjes hebreje pikturën e Klimt, të shitur me detyrim gjatë nazizmit

Franca do t’u kthejë një pikturë të artistit Gustav Klimt, trashëgimtarëve të një familje hebreje që u detyruan të shesin veprat e artit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Piktura, e blerë nga shteti francez në 1980, po mbahej në Musée d’Orsay të Francës, një nga muzetë kryesorë të Parisit. Më parë, piktura i përkiste Nora Stiasny, e cila jetonte në Purkersdorf, afër Vjenës në Austri.

Austria u aneksua nga nazistët më 1938 gjatë Anschluss. Prona e Stiasny-s u konfiskua gradualisht dhe në gusht të atij viti, ajo u detyrua t’i shiste një të njohuri pikturën e saj, që tani mban titullin “Rosiers sous les Arbres”, me një çmim të reduktuar, tha ministrja e Kulturës e Francës, Roselyne Bachelot.

Në prill 1942, Stiasny dhe nëna e saj, Amalie, u dëbuan dhe u vranë në Poloninë e pushtuar nga nazistët, në geton e Izbica ose në kampin e afërt të shfarosjes Belzec, tha Bachelot. Burri i Stiasny, Paul, dhe djali i tyre, Otto, u dëbuan në kampin Terezin afër Pragës dhe më pas në Auschwitz.

Në vitin 2019, Ministria e Kulturës e Francës u përpoq të identifikonte veprat e vjedhura në koleksionet e saj.

Bachelot tha se, pas një procesi të gjatë për të identifikuar pronarët origjinalë të artit, piktura do të kthehej te pasardhësit e Stiasny. Ajo shtoi se kthimi i pronës së konfiskuar hebraike ishte detyrë e  Francës.

“Vendimi që morëm është padyshim një vendim i vështirë. Do të thotë të nxjerrësh nga koleksionet kombëtare një kryevepër, që është për më tepër piktura e vetme e Gustav Klimt që zotëronte Franca”, tha ajo.

“Ne e dimë që përndjekja e hebrenjve ka marrë shumë forma. Shumë shpesh, para eliminimit, para shfarosjes, kishte vjedhje të mallrave të hebrenjve, të urdhëruar të braktisnin gjithçka.”

Lindur në Austri më 1862, Klimt ishte një nga anëtarët themelues të shkollës së pikturës të njohur si Seksioni i Vjenës, një grup artistik avangardë në fund të shekullit.

Artisti është më i njohur për pikturën e tij “Puthja”, një nga veprat më të njohura në botë.