Premtimet në letër, minatorët në qarkun e Korçës të zhgënjyer nga e majta dhe e djathta

Mijëra ish-minatorë në Qarkun e Korçës prej 20 vitesh luftojnë për miratimin e statusit të tyre, status i cili iu garanton pension jo më pak se 30 mijë lekë apo rroga jo më pak se 50 mijë lekë të reja.

Sipas Presidentit të Sindikalistëve në Qarkun Korçë, Llazi Kërxhalli,  politika si majtas, si djathtas në gjithë këto vite vetëm ka premtuar dhe asgjë më shumë.

“Të dyja partitë kur kanë pasur pushtetin nuk janë marrë pothuajse fare me gjendjen e dobët të minatorëve, për statusin e minatorit mbetemi të zhgënjyer deri më tani”, thotë ai për A2.  

Kërxhalli shkon më tej kur thotë se një pjesë e madhe e atyre që kanë protestuar dhe luftuar për statusin sot kanë ndërruar jetë si pasojë e sëmundjeve profesionale.

Llazi Kërxhalli

Beshir Çuka është një ish-minator që ka punuar 20 vite nën tokë, dhe ai sot merr një pension prej 14 mijë lekësh, pension i cili as për ilaçe nuk i mjafton.

“Mbi 200 minatorë marrin një pension qesharak me 140 mijë lekë. Unë kam 7 vjet që marr mjekime, që përballoj me shpenzimet e mia”, tregon ish-minatori.  

Në qarkun e Korçës numërohen rreth 17 miniera, ku vetëm disa prej tyre sot janë aktive,  ndërsa numri i minatorëve në këtë qark është mbi 12 mijë.