Raporti i inteligjencës, Rusia u përpoq të ndikonte në zgjedhjet amerikane

Presidenti rus Vladimir Putin me shumë gjasë ka drejtuar personalisht përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, për t’i orientuar ato në favor të Donald Trump. Zbulimi bëhet në një raport të inteligjencës amerikane, e mund t’i hapë rrugën sanksioneve të Uashingtonit ndaj Moskës.

Në raportin prej 15 faqesh, të publikuar nga Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar, thuhet se Rusia ishte e fokusuar në denigrimin e atëherë kandidatit presidencial, Joe Biden, duke amplifikuar pretendimet e ngritura kundër tij nga ana e disa figurave ukrainase të lidhura me Rusinë.

Zyrtarët e inteligjencës shtojnë më tej në raport se ndihmësit kryesor të Trump kishin bërë lojën e Moskës. Ata u shtojnë elemente të reja aludimeve se Putini ose e mbikëqyri personalisht, ose të paktën e miratoi ndërhyrjen në zgjedhje për të favorizuar kandidatin e atëhershëm Trump.

Uashingtoni pritet të vendosë sanksione ndaj Moskës, madje që javën e ardhshme, thanë dy burime që folën në kushte anonimiteti. Raporti ndërkaq nxjerr si të pavërtetë një version të mbështetur nga aleatët ish-presidenti Trump se Kina po ndërhynte në favor të demokratit Biden.