Vaksina e AstraZeneca, Britania: Është e sigurt, ka ulur ndjeshëm shtrimet në spital

Vaksina e Oxford dhe AstraZeneca është e sigurt, pohon ministri i Shëndetësisë në Britaninë e Madhe, ndërsa më shumë vende pezulluan përdorimin e saj, mes shqetësimeve se mund të shkaktojë mpiksje gjaku.

Mat Hancock u kërkon qytetarëve të dëgjojnë rregullatorët dhe të marrin vaksinën sapo t’u ofrohet mundësia.

Në një përpjekje për të qetësuar popullin britanik, Hancock theksoi se Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Europiane e Barnave besonin se vaksina ishte e sigurt. Sipas tij, rezultatet e vaksinës së AstraZenecas dhe asaj të Pfizer ishin tejet inkurajuese, pasi po tregonin një efektshmëri prej 80 për qind në parandalimin e hospitalizimit te personat mbi 70 vjeç, pas një doze të vetme.

“Vetëm një dozë e vaksinës së Oxford dhe Astra Zeneca apo e Pfizer funksionon kundër infektimeve të rëndë mes personave mbi 70 vjeç, me një reduktim prej 80 për qind të hospitalizimeve. Ky është një lajm ekstremisht i mirë. Rezultatet shpjegojnë edhe rënien e madhe të shtrimeve në terapitë intensive mes personave mbi 80 vjeç”, deklaroi Hancock.  

Rreth 13 vende, së fundmi edhe Suedia e Letonia, e kanë pezulluar përdorimin e vaksinës në pritje të konfirmimit të sigurisë së saj, por Agjencia Regullatore britanike, thotë se provat përjashtojnë mundësinë që vaksina të shkaktojë mpiksje gjaku.

Rregullatori europian, EMA, pritet të publikojë të dhënat e hetimit mbi rastet e mpiksjes së gjakut ditën e enjte. Por në një deklaratë fillestare, ajo the se ishte shumë e bindur se përfitimet nga vaksina, i tejkalojnë rreziqet dhe se nuk ka tregues që vaksina të shkaktojë mpiksje gjaku.

 Rreth 17 milionë njerëz në BE dhe Britani kanë marrë një dozë të Astra Zeneca, ndërsa më pak se 40 raste të mpiksjes së gjakut janë raportuar javën e kaluar. Për të konfirmuar besimin te vaksina, Boris Johnson është shprehur i gatshëm ta marrë atë, kur të vijë radha e tij, ndërsa dukesha e Kornuellit, Camilla, zbuloi të martën se ishte imunizuar pikërisht me vaksinën e Astra Zeneca më herët gjatë vitit.