AstraZeneca, Shapo: Nga 17 milionë doza, në Britani nuk ka pasur asnjë rast tromboze

Laidon Shapo, specialist i shëndetit publik në Londër, në një lidhje me studion e “Ditari” në A2, deklaroi se në Britaninë e Madhe nuk janë regjistruar problematika me vaksinën AstraZeneca.

“Në Britani, nga 17 milionë doza vaksine të aplikuara, nuk është parë asnjë rast tromboze. Është interesant fakti pse në 1,6 milionë aplikime vaksinash në Gjermani, ka pasur 7 raste. Si çdo vaksinë, edhe AstraZeneca ka efekte anësore të lehta, të mesme dhe të rënda. EMA po e studion dhe përgjigjja e saj na intereson shumë”, tha Shapo.

Në lidhje me trajtimet e reja për pacientët me koronavirus në Britani, Shapo theksoi: “Ka disa trajtime që po ndiqen. Por, më e rëndësishme është se kur përdoren këto trajtime, në çfarë stadi të sëmundjes. Po shohim që në mungesë të një koordinimi të mirë të të gjithë hallkave, problemet shtohen për pacientin”.