Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

vaksina 4 1100x620

3 komisione mblidhen sot në selinë e Kuvendit me një agjendë të ngjeshur, ku përfshihet shqyrtimi i një sërë projektligjesh. Veçojmë takimin në Komisionin e Çështjeve Ligjore në orën 10:00, ku diskutohet për miratimin e marrëveshjes me kompaninë farmaceutike Pfizer për blerjen e sasisë së rënë dakord të vaksinave, ndërkohë që po në të njëjtën orë, në Komisionin e Çështjeve Sociale dhe të Shëndetësisë shqyrtohet akti normativ i qeverisë për kontaktet me kompanitë prodhuese të vaksinave kineze dhe asaj ruse.

Pekini i hap rrugën bashkëpunimit me Shqipërinë për vaksinat

Pekini zyrtar i përgjigjet pozitivisht marrëveshjes me Shqipërinë për vaksinat. Sikurse konfirmon prezenca diplomatike në vendin tonë, për këtë çështje rruga e komunikimit midis dy palëve për zhvillimin e bashkëpunimit mbi vaksinën është e hapur”, gjithnjë nëse pala shqiptare do të jetë e vendosur deri në fund.

Izraeli, gati që të ndihmojë Kosovën me vaksina

Pas hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem, në sajë të marrëveshjes së firmosur në Uashington, Izraeli është shprehur i gatshëm ta ndihmojë Kosovën me vaksinat kundër Covid-19. Gjatë ditëve në vijim do të mësohen detajet në lidhje me këtë çështje, pasi pasditen e djeshme u krye edhe konferenca e parë video mes dy ministrave të Shëndetësisë. 

Masa të reja kufizuese për Francën

Situata e rënduar me pandeminë dhe atë që cilësohet vala e tretë e saj, e ka vënë Francën para përgjegjësisë së masave të reja kufizuese, që do të përkojnë edhe me festën e Pashkës katolike. Këto masa njoftohen sot nga kryeministri i vendit.

Italia nderon viktimat e Covid-19

Flamujt italianë do të jenë në gjysmështizë ditën e sotme dhe një minutë heshtje do të mbahet në tërë vendin për atë që shënon ditën e viktimave nga Covid-19. Kjo datë u vendos të jetë specifike në kalendar, me mbështetjen e Senatit, për të ngulitur në kujtesë ato momente të hidhura të valës së parë të pandemisë, me humbjen e jetëve që përfshiu vendin fqinj. 

BE mban sot qëndrimin e saj zyrtar për vaksinën AstraZeneca

BE zyrtarizon sot qëndrimin e saj nëpërmjet Agjencisë Evropiane për Mjekësinë mbi përdorimin e vaksinës së Universitetit të Oksfordit dhe kompanisë AstraZeneca. Sikurse e ka cilësuar gjatë këtyre ditëve, ky produkt paraqet më shumë anë pozitive sesa negative dhe pavarësisht se asnjë vaksinë nuk është 100% e sigurt, nuk ka prova shkencore që vërtetojnë se mpiksja e gjakut te personat e caktuar vjen si pasojë e përdorimit të vaksinës. 

Kryeministri i Izraelit viziton sot Emiratet e Bashkuara Arabe

Në bazë të marrëveshjes së firmosur në Shtëpinë e Bardhë në kohën kur Donald Trump ishte president, kryeministri i Izraelit, Beniamin Netanyahu viziton sot Emiratet e Bashkuara Arabe, ku pritet të takohet me Princin e Kurorës, Muhamed Bin Zayed. Kjo vizitë e shtyrë disa herë për çështje logjistike, pritet të vendosë sot disa pika konkrete në bazë të bashkëpunimit ku bën pjesë edhe Bahreini. 

SHBA-Kore e Jugut, mision kundër armëve bërthamore të Koresë së Veriut

SHBA dhe Koreja e Jugut kanë konfirmuar faktin se stërvitja dypalëshe bashkon në një edhe misionin e përbashkët kundër armëve bërthamore të Koresë së Veriut. Deklarata u bë pas takimit të ministrave të Jashtëm të dy vendeve, të cilët nuk morën për bazë paralajmërimin e bërë nga motra e Kim Jong-un për t’iu larguar kësaj marrëveshjeje.

Biden: Mendoj se Putin është vrasës

“Unë mendoj që Vladimir Putin është një vrasës dhe ai do të paguajë që ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane”. Ishte kjo deklarata më e fundit e presidentit Joe Biden gjatë një interviste në median amerikane, që ka ngjallur reagime të ashpra në Moskë. Kremlini ka thirrur për konsultim ambasadorin amerikan në vend, ndërsa kryetari i Dumës ruse reagoi zyrtarisht, duke thënë që një deklaratë e tillë është mjaft e rëndë dhe sulmi ndaj presidentit është sulm ndaj gjithë Rusisë.