E pabesueshme në Shkodër, Vllaznia u kualifikua, kryebashkiakja gjobit trajnerin Brdaric

brdaric 1100x620

E pabesueshme në Shkodër. Vllaznia u kualifikua në gjysmëfinale të Kupës, por në të njëjtën ditë, kryebashkiakja Voltana Ademi gjobit trajnerin Thomas Brdaric.

Një episod në kufijtë e të logjikshmes. Vendim që tregon se diçka në klubin kuqeblu nuk shkon dhe ecuria negative e skuadrës nuk lidhet vetëm me formën sportive.

Dokumenti, i datës 17 mars, që ka firmën e kryebashkiakes Ademi dhe vulën e Asamblesë së klubit e ka gjobitur teknikun me 150 000 lekë. Argumenti i dhënë pas masës financiare ndaj Brdaric lidhet me “ecurinë e dobët të skuadrës dhe mungesës së disiplinës, të cilat rrezikojnë objektivat e klubit”.

Në dokument saktësohet se klubi do ta heqë gjobën për trajnerin, në rast se skuadra regjistron rezultate pozitive në tre ndeshjet e radhës në kampionat. Gjithsesi, aty nuk saktësohet nëse Vllaznia duhet t’i fitojë detyrimisht të trija ndeshjet, që do ta mbanin në garën për titull.

Kualifikimi mes katër më të mirave të Kupës përballë Korabit erdhi si lehtësim për shkodranët, pas ecurisë së keqe në kampionat. Në shtatë javët e fundit, kuqeblutë kanë regjistruar vetëm një fitore, duke grumbulluar vetëm 5 pikë nga 21 të mundshme. Aktualisht, skuadra e sheh veten në vendin e dytë në renditje, përkrah Teutës dhe Partizanit, në 2 pikë distancë nga Laçi kryesues.