Frikë tek Interi, edhe Handanovic me Covid-19

handanovic 600x338

Shtohet frika e koronavirusit në radhët e Interit. Pas mbrojtësit Danilo D’Ambrosio, edhe portieri, njëkohësisht kapiteni i zikaltërve, Samir Handanovic, ka rezultuar i prekur nga Covid-19.

Klubi bëri të ditur gjendjen shëndetësore të gardianit slloven, i cili ndodhet i izoluar në shtëpi dhe pa shqetësime të rënda. Handanovic do të humbasë në këtë mënyrë ndeshjen e kësaj fundjave, që Inter do të luajë përballë Sassuolos.

Shpërthimi i virusit vjen në momentin më të mirë të zikaltërve, që kryesojnë Serinë A dhe janë futur në fazën më delikate të kampionatit, atje ku do të luajnë edhe 11 “finale” për titullin. Antonio Conte mund të marrë frymë duke parë faktin që përpara janë ndeshjet e përfaqësueseve, të cilat do të marrin mjaftueshëm kohë, aq sa nevojitet për shërimin e futbollistëve të prekur.