Koçi: Kemi përballë kandidatura humbësish, Basha i ka miratuar listat nën presionin e Berishës

koci 1100x620

Kandidati i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Petro Koçi deklaroi në “Absolut 4” se lista e PS është e mbushur me personalitete me përvojë ndërsa ajo e PD më kandidatura humbëse, dhe pa figura të spikatura.

Sipas tij, listat e Bashës janë bërë nën presion nga Berisha por dhe partitë në koalicion me PD.

“Mendoj se lista e PS, përtej emrit tim, është një listë me personalitete me pervojë të madhe parlamentare, shtetërore, politike, në marrëdhëniet njerëzore dhe në fushata elektorale. Është një listë fituesish, jo një listë humbësish që është provuar në të gjitha zgjedhjet e viteve të fundit.

Përballë kemi nje furgon kandidaturash që në vlerësimin tim është shumë i varfër në vlera. Është vështirë të gjesh figura që janë të spikatura dhe të provuara në sfida qofshin kto qeverisëse qëndrore por dhe në sfida vendore. Përgjithësisht kandidatura që janë përballë janë humbëse. Duhet të pranojmë që Basha ka miratuar lista nën presion. Janë lista të nënshtruara nga presioni i Berishës, dhe nga presioni i një tufe kryetarësh të partive politike që kanë hyrë me sforca në furgonin e kandidaturave të PD. Nga kjo pikëpamje, mendoj se beteja është e fituar por gjithsesi ajo duhet të mbështetet nga një fushatë intensive dhe e pajisur mirë me programe konkrete.

Mendoj se ky është nja avantazh i PS, meritë jo vetëm e PS por dhe lidershipit të opozitës që kanë krijuar këtë realitet në të cilin kemi një avantazh. Në Fier nuk ndihet fryma e një rrotacioni të mundshëm. PD-LSI janë të dobëta në kontaktet me njerëzit, kemi të bëjmë me një realitet ku ka avantazh PS. Do kemi shumë raste që zgjedhës që dikur kanë votuar për PD-LSI, do zgjedhi PS.”, u shpreh ai.