Rama: I keqardhur për Shkodrën, jemi bllokuar nga një drejtues absurd

Prezantimin e kandidatëve për deputetë në qarkun e Shkodrës, kryeministri Rama e nisi me një keqardhje, që kishte formën e një justifikimi. 

“Kanë të drejtë shkodranët. Ka një kontrast që po bëhet gjithnjë e më i thellë, mes Shkodrës dhe Vlorës, Shkodrës dhe Korçës, madje dhe Shkodrës me Pukën”, u shpreh Rama.

Si fajtore të kësaj situatë shikon kryebashkiaken e Shkodrës.

“Nuk është punuar, jo për shkak të mungesës së vullnetit nga ana jonë, por si pasojë  e bllokimit që na është bërë nga Bashkia Shkodër dhe personi absurd që e drejton këtë bashki”, shtoi kryeministri.

Shkodranet, kryeministri i vendosi mes dy zgjedhjeve.

“Të gjithë shkodranët dhe shkodranet duhet të zgjedhin, midis kalit që të çon drejt zhvillimit apo gomarit partiak që e ka lënë Shkodrën në këtë farë gjendjeje”

Edhe këtë herë, Rama akuzoi kryetarin e opozitës për papërgjegjshmëri, nisur nga grumbullimet e fushatës së partisë Demokratike.

“Pak ditë më parë erdhi dhe në Shkodër, ku krijoi dhe një vatër COVID. Këtu bëhen shfaqje si spontane, ku dhëndri hipën mbi makinë e i bie dajres”, përfundoi kreu i qeverisë.


Objektivi I Partisë Socialiste për qarkun e Shkodrës në zgjedhjet e 25 prillit është 5 mandate, një më shumë se rezultati i arritur në 2017-n.